Në Ditën e Tyre Vajzave u Kërkohet Gatishmëri për të Gjitha Profesionet

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave ato janë inkurajuar që të luftojnë për barabarësi me meshkujt në të gjitha profesionet.

Kjo ditë synon tejkalimin e paragjykimeve, stereotipeve dhe stigmatizimeve sipas të cilave vajzat nuk mund të kryejnë disa nga punët sikurse meshkujt.

Në këtë ditë u organizua një tryezë nga MAShT-i, ku u tha se vajzat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në mbarë botën në fushat të ndryshme duke përfshirë këtu rendin dhe ligjin, kujdesin shëndetësor, arsimimin dhe lirinë nga dhuna e abuzimi.

U përmendën edhe profesione si hoteleria, elektroteknika, mekanika, etj që mendohet se i kryejnë vetëm meshkujt, ndërsa doli se në disa prej tyre edhe femrat kanë sukses.

Përvojën e saj në fushën e hotelerisë e tregoi në këtë tryezë Marigona Sogojeva.

“Kemi edhe zyrtare femra në departamentet si administratë, në financa, në burime njerëzore, në kontabilitet, në departamente operacionale,” tha Sogojeva.

Anila Statovci, zëvendësministre në MAShT u sugjeroi vajzave të pranishme që të arsimohen për profesione të ndryshme pa dallim.

“Arsimimi i vajzës është shumë i rëndësishëm, ajo ju siguron juve perspektivën, do ta keni kapital të cilin do të mund ta investoni në çdo situatë edhe atëherë kur nuk  jeni duke punuar formalisht,” deklaroi Statovci.

Të pranishme në tryezë ishin edhe nxënëset e 10 shkollave fillore të Ferizajt.

Erona Luri, njëra prej tyre tha se disa nga profesionet nuk janë për vajza.

“Disa nga profesionet që nuk janë për vajza janë hidrauliku, mekaniku apo edhe punëtorët fizikë, sepse dihet që vajzat janë pak më të dobëta dhe ndoshta nuk mund t’i kryejnë”, tha ajo.

Këto nxënëse në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave vizituan edhe Ministrinë e Arsimit dhe Qumështoren “Magic”.