Mustafa e Thaçi Nuk i Binden Kërkesave të Opozitës

Kryeministri i Kosovës, Isa Musfata, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, kanë dalë bashkë nga takimi konsultativ me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për të thënë se nuk ka krizë politike në Kosovë.

Shefi i qeverisë, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, foli për një projekt tjetër të opozitës, përmes aksioneve të saj në Kuvend.

“Ne shprehëm bindjet tona që s’kemi krizë politike por tentim për të pengu punën e institucioneve me masa të dhunshme”, tha Mustafa.

Ndërsa Thaçi, në cilësinë e kryetarit të PDK-së, tha se e mbështet iniciativën e Presidentes për takim të liderëve në kërkim të zgjidhjes së situatës politike.

“Ishte vlerësim i përbashkët që në Kosovë s’ka krizë politike institucionale. Ne mbështesim iniciativat e Presidentes për dialog. Gjithë ata që kanë vërejtje e sugjerime mund t’i diskutojnë në Kuvend”, tha Thaçi.

Presidentja nesër paradite do t’i takojë edhe liderët e partive opozitare, Visar Ymerin e Vetëvendosjes, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e NISMA-s, në një takim të përbashkët.