Muja Paraqitet në Gjykatë Por Trupi Gjykues Mungon

Ramadan Muja bashkë me avokatin e tij Tomë Gashi janë paraqitur sot në gjykatë, por ka munguar trupi gjykues.

Seanca kundër Mujës dhe zyrtarëve tjerë prizrenas nuk u mbajt, pasi në të nuk ishte i pranishëm trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe ata vendas.

Avokati Tomë Gashi tha se në gjykatë kanë ardhur në bazë të ftesës që kishin.

“Ne nuk kemi pasur njoftim për anulimin e seancës së sodit dhe seancave në vazhdim, por njoftimin e kemi pasur vetëm për anulimin e seancave të datës 7, 8 dhe 9 tetor dhe në bazë të kësaj ne jemi paraqitur sot në seancë,” tha avokati Tomë Gashi.

KALLXO.com shkroi më 6 tetor se seancat e gjykimit të Ramadan Mujës të caktuara për t’u mbajtur këtë muaj, janë shtyrë pa ndonjë arsyetim.

Gjatë tetorit ishin caktuar tetë seanca që pritej të fillonin më 7 dhe të përfundonin më 16 tetor, pasi Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin Muja duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të 13 marsit 2014 që e shpalli fajtor kryetarin e Komunës së Prizrenit.

Avokati Tomë Gashi tha se ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues.

“Kam kërkuar me parashtresë përjashtimin e trupit, sepse e kanë vënë në dyshim paanshmërinë e tyre, sepse kanë vendosur në shkallën e parë dhe kam prit që vetë të përjashtohet,” tha Gashi.