Mbyllet Edicioni i Pestë i Konferencës së Dizajnerëve REDO

Është mbyllur në Prishtinë edicioni i pestë i konferencës ndërkombëtare të dizajnit, REDO në të cilin gjatë tri ditëve, vizitorët kanë pasur mundësinë që përveç ligjëratave nga dizjanerët zelandezë, zviceranë dhe amerikanë të mahniten edhe me arkitekturën e objektit ikonik të Prishtinës.

Profesionistë të fushës së dizajnit e kanë vlerësuar të suksesshme këtë konferencë e cila është ndjekur në numër rekord edhe nga vizitorët lokalë. Mbi 250 vizitorë kanë qenë prezentë në çdo ligjëratë të mbajtur, prej të cilëve shumica kanë qenë studentë dhe profesionistë nga shtetet si Holanda, Çekia, Zvicra, Franca, Belgjika, Gjermania…

“Mendoj që është ide e mirë që REDO në të ardhmen të shikohet si shkollë,” ka thënë David Bennewith, ligjërues nga Zelanda e Re duke diskutuar për REDO në hapje të ditës së tretë.

Në ditën e tretë, për projektet e tyre të dizajnit grafik përveç Bennewith  kanë folur edhe vajzat nga Studio NOI prej Zvicrës dhe çifti i dizajnerëve nga Common Name prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç ligjeratave si pjesë e konferencës ka qenë edhe një punëtori e organizuar nga De Stihl (FR) dhe një librari e përkohshme me libra të përzgjedhur nga holandezët e San Seriffe.

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, workshopit, bookshopit dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

Një ditë më parë, një nga hapësirat e mëdha të shtypshkronjës “Rilindja” i ka shërbyer edhe njëherë si dikur publikimeve dhe dizajnit. Por këtë herë jo duke përdorur makineritë e shtypit, por duke funksionuar si hapësirë ku ligjëruan profesionistë të dizajnit grafik.

Nga katër ligjërata sa janë mbajtur në këtë hapësirë ditën e shtunë, dy prej tyre kanë folur edhe për procesin e shtypit.