MAShT-i Ende Pa Vendim Rreth Testit të Maturës

Testi i maturës, me mbarëvajtjen e të cilit as Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk ishte ndarë e kënaqur, ende nuk dihet se a do të anulohet ose jo. Por në rast se kjo ministri i vërteton manipulimet e mundshme të bëra gjatë procesit të testit , atëherë ai do të anulohet.

Sipas Mustafë Kadriut, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standard dhe Monitorim në MAShT-i,  ende nuk është marrë vendimi përfundimtar rreth këtij testi.

“Jemi duke mbledhur raporte nga pjesë të ndryshme dhe deri sa të kuptohet mirë situata, MAShT-i nuk do ta marrë vendimin”, tha Kadriu.

Sipas tij nëse konstatohen shkeljet, ashtu siç është raportuar në media, atëherë do të anulohet testi, dhe testi i ri sipas Kadriut do të jetë ndryshe nga ai që u mbajt ditën e shtunë.

Media të ndryshme kishin raportuar për parregullsi gjatë kohës sa u mbajt testi i maturës duke shkruar se ishin bërë kopjime masive nga nxënësit.

KALLXO.com ka raportuar për një bastisje që Policia e Kosovës ka bërë në konviktet e studentëve lidhur pikërisht me dyshimet për këto keqpërdorime.

Megjithatë, analisti i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, nuk e sheh të nevojshëm anulimin e testit të maturës, pasi sipas tij nuk ka kohë të mjaftueshme për parandalimin e mashtrimeve dhe kopjimit.

Sipas Pupovcit do të duhej që rezultatet e këtij testi të mos merren parasysh për regjistrimin në arsimin e lartë të këtyre nxënësve.

“Mendoj se si zgjidhje e përkohshme është më mirë që rezultatet e testit të mos merren parasysh për regjistrim në arsimin e lartë këtë vit, ndërsa që tani të fillojnë përgatitjet dhe bashkëpunimi me organet e rendit për të siguruar integritetin e testeve kombëtare në vitin tjetër”, tha Pupovci.

Sipas tij duhet të fillohet me një fushatë informimi për nxënësit, prindërit dhe administratorët për t’u vetëdijesuar për pasojat e përfshirjes në mashtrim ose tolerim të mashtrimit.