Kosova Synon Platformë Elektronike të Prokurimit Publik

Kosova parashihet që të përshtatë një platformë elektronike të prokurimeve publike. Diçka e tillë u bë e ditur sot gjatë një takimi mbi Praktikat e Prokurimit Publik në Kosovë në tryezën e Odës Ekonomike Amerikane.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se prokurimi Publik mbetet njëra ndër fushat më problematike në Kosovë, vazhdimisht i kritikuar, edhe me gjithë rekomandimet e shumta të cilat janë dhënë ka pasur pak progres viteve të fundit.

“Ka pasur mbi 500 raste të parregullsive që kanë përcjellë procedurat e prokurimit publik që kanë përcjell vetëm në vitin 2014”, tha Zeka.

Ai shtoi se parregullsitë e shumta të cilat i karakterizojnë këto aktivitete të prokurimit sugjerojnë edhe një prani të madhe të korrupsionit, edhe atyre që gjitha këto procedura të prokurimit publik edhe ato qindra miliona euro të tatim paguesve të cilat kalojnë nëpër aktivitete prokuruese mbeten peng i përmirësimit të sundimit të ligjit.

Si sektor të ndjeshëm e vlerësoi edhe kryetari i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik, Safet Hoxha, pasi gjendet ne mes të operatorit ekonomik dhe autoriteti kontaktues si palë të kundërta.

“Prokurimi mbetet ndër sektorët më të ndjeshëm në administratën publike, jo thjesht për faktin se ndan interesa publike, por për faktin se atakon dy palë të kundërta të sektorit publik, autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomikë, që legjitimisht do të duhej të kishin qëndrime të përbashkëta”, tha Hoxha.

Hoxha foli edhe për amandamentimin e ligjit të prokurimit publik me qëllim të përfshirjes së direktivave të reja të BE-së dhe eliminimin e defekteve të deritashme.

Ai shtoi se këto ndryshime janë të nevojshme për të përmbushur direktivat e BE-së, për të eliminuar defektet që janë vërejtur rrugës dhe për të ndërtuar një bazë ligjore për krijimin e platformës elektronike për prokurimin publik.

“Ne para se me përgatitë këtë platformë [elektronike] kemi lansuar, kemi testuar, kemi bërë një matje të fizibilitetit te një ekspert australian edhe në aspektin e kompanive edhe te autoriteteve se sa janë të gatshme me përballu këtë proces. Dhe ka dalë që tregu i Kosovës mund t’i hynë sistemit elektronik edhe bizneset kanë përgatitje në fushën e IT-së edhe autoritetet kontraktueses kanë infrastrukturë të mjaftueshme për me përparua këtë sistem”, vërejti Hoxha.

Isuf Zejna nga Insituti Demokratik i Kosovës përkrahu ndryshimet në ligj dhe foli për imazhin jo të mirë që Kosova e ka në raportet ndërkombëtare sa i përket korrupsionit, duke folur edhe për rritjen e numrit të kontratave të kufizuara pa publikimi të njoftimit për kontratë dhe të negociuara.

“Është rritur numri të kontratave të kufizuara pa publikim të njoftimit për kontratë dhe kontratat e negociuara. Viti 2014 ka arrit shifrën e 80 milionë euro e kontratave të cilat nuk kanë qenë të hapura, madje situatë më e keqe është në ndërmarrje publike, ku vetëm 50 për qind e tenderëve kanë qenë të hapur ose u janë nënshtruar procesit të konkurrimit të bizneseve”, tha Zejna.

Lidhur më këtë çështje, kryetari i KRPP-së Safet Hoxha përmendi instalimin e platformës 3G dhe 4G në PTK dhe shpërthimin në KEK, si faktorë që kanë ndikuar në rritjen e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në shkurt të këtij viti, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) publikoi raportin e monitorimit të prokurimit publik për vitin 2014 [Raporti i plotë për shkarkim].

Sipas këtij raporti, prokurimi është karakterizuar me shpërblime me kontrata publike të njerëzve të afërt të kryetarëve të komunave, zyrtarëve të prokurimit.

U theksuan në raport edhe veprimet që çuan në zyrtarizimin e vetëm një tenderuesi pa konkurrencë të një kompanie amerikane në tenderin e madh për ndërtimin e Kosova e Re si dhe punësimin e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell në kompaninë Bechtel që ndërtoi autostradën e Kosovës.