Komuna Shpërblen me Dreka e Darka Fituesit e Tenderëve

Tri partitë opozitare në Komunën e Obiliqit kanë filluar ta gjejnë një gjuhë të përbashkët, atë të akuzave ndaj kryetarit të kësaj komune.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cila kishte udhëhequr në këtë komunë për që nga viti 2000 deri më 2013, thotë se  Xhafer Gashi, kryetari i tanishëm po e keqpërdorë paranë publike.

Mendim të njëjtë ka edhe Labinot Hashani nga Lëvizja Vetëvendosje, e Adem Krajkolli nga Partia e Drejtësisë të cilët thonë se mënyra e shpenzimit të parasë publike nuk po bëhet në rregull.

Qeverisja e tanishme e Komunës së Obiliqit, e cila udhëhiqet nga Xhafer Gashi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë nëntmujorit të parë të punës së tyre ka shpenzuar 8 mijë e 222 euro, për dreka dhe darka.

Këto shuma u paraqiten në raportin e nëntëmujorit të shpenzimeve të Komunës së Obiliqit, gjatë mledhjes së Kuvendit Komunalë me 26 nëntor.

Ndërsa vetëm për derivate kjo komunë ka shpenzuar 30 mijë e 382 euro.

Gjatë debatit komunal më 26 nëntor, kur ishte prezantuar edhe raporti i shpenzimeve për nëntmujorin e parë të punës, Kryetari kishte deklaruar se këto shpenzime i ka bërë duke iu shtruar dreka e darka kompanive të cilat kanë fituar tender në komunën që udhëheqët nga ai.

“Ka shpërblyer me dreka e darka kompanitë të cilat po ashtu i ka shpërblyer me tenderë”, tha Mehmet Krasniqi (LDK), ish kryetar i Obiliqit, tani asamblist në këtë komunë.

Ai thotë se ishte tejet i habitur kur kryetari i tanishëm kishte ndalur edhe kishte arsyetuar 8 mijë e 222 euro të shpenzuara për dreka e darka.

“Na tha se kishte dalur disa herë që t’u qesë dreka e darka tenderuesve, për punën e mirë që e kanë bërë”, citon Krasniqi kryetarin aktual.

“Nuk më ka ra kurrë të dëgjoj se kompanitë të cilat marrin pare për ta kryer një punë, duhet t’u japësh dreka e darka. Kjo është e pakuptimtë”, tha ai.

Kurse Labinot Hashani (VV) thotë se edhe pse i ka shpërblyer kompanitë fituese të tenderëve, deri me tani nuk ka parë ndonjë punë të madhe që është kryer.

“Deri më tani vetëm dy rrugë janë përfunduar, edhe ato projekte të planifikuara nga qeverisja e kaluar”, tha Hashani.

Adem Plakolli përfaqësues i Partisë së Drejtësisë në Asamblenë Komunale, tha është në pritje të raportit përfundimtar vjetor të shpenzimeve të komunës që sipas tij, pritet të bëhet në fund të janarit për t’i parë shpenzimet në detaje të kryetarit që ka përfunduar vitin e parë në këtë post.

“Kryetari gjatë fushatës ka premtuar krejt tjetër gjë dhe në këtë mënyrë edhe arriti ta fitojë qeverisjen. Nëse vazhdon kështu, do ta humbë besimin e qytetarëve” tha Plakolli.

Ai shtoi se Gashi më së shumti kishte fituar besimim tek qytetarët e Obiliqit kur ishte zotuar se ai do të i ulte  shpenzimet,  si dhe “që nuk do ta lejonte të keqpërdoret paraja publike”.

Shpenzon dyfishin e asaj që premton

Brohoritjet dhe duartrokitjet e qytetarëve të Obiliqit nuk kishin të ndalur, gjatë prezantimit të programit zgjedhor që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte prezantuar në debatin e “Jeta në Kosovë” gjatë  fushatës për zgjedhjet lokale që ishin mbajtur në nëntor të vitit 2013.

53.8 për qind e 21 mijë e 548 votuesve në Obiliq votuan për Xhafer Gashin, kandidatin e AAK-së, pasi i besuan fjalëve të cilat ai i thoshte në debate e tubime parazgjedhore.

Partia e Xhafer Gashit në debatin për balotazh pati thënë se nga buxheti për derivate si dhe nga buxheti për dreka e darka do të kursente më shumë se 30 mijë euro.

Ata në atë debat patën thënë se do të shpenzonin 4 mijë e 532 mijë euro, duke kursyer 10 mijë euro më pak se që kishte shpenzuar LDK për 12 muajshin paraprak.

AAK thoshte se në vitin e fundit të qeverisjes së LDK-së, ishin shpenzuar 14 mijë e 532  euro.

Në këtë debat, Burim Gërguri i cili ishte në cilësinë e këshilltarit të Xhafer Gashit pati thënë se paratë e kursyera do t’i investojnë në projekte të tjera, siç është ndertimi i shkollave, urave e rrugëve.

“Të gjitha paratë e ndara (të kursyera) do të shkojnë në shëndetësi, bujqësi dhe arsim”, pati thënë Gerguri në debat.

Një prezantim të tillë në atë kohë e pati kundërshtuar edhe Valon Prestreshi, këshilltar i Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili pati thënse e një mbulim i tillë është i pamundur.

“Paratë e planifikuara për kursime në mallra dhe shërbime nuk mundesh me i qitë tek projektet kapitale, sepse një gjë të tillë nuk ta mundëson ligji”, pati thënë Prestreshi.

Por ky mendim ishte kundërshtuar nga Gërguri duke e mbrojtur me këmbëngulje planifikimin që partia e tij kishte bërë.

Komuna i arsyeton paratë e shpenzuara

Janë disa restorane në Obiliq e Prishtinë në të cilat komuna e Obiliqit shpenzoi 8 mijë e 222 euro për dreka e darka.

Nënkryetari i Komunës së Obiliqt, Nystret Kelmendi, thotë se ata nuk shpenzuan më shumë se që e kishin të lejuar.

Sipas tij, të gjitha shpenzimet ishin sipas planifikimit që ata e kishin bërë  në vitin 2013.

“Asnjë cent nuk është harxhuar më shumë se sa që është paramenduar, dhe ju garantoj që ne nuk e kemi keqpërdorur paranë publike”, tha ai.

Kelmendi tha se ajo se çka është thënë në kuvendin komunal është e vërtetë, por pretendon se opozita po i zmadhon gjërat.

“Kryetari ka shpërblyer nja dy kompani të cilat i kanë kryer punët mirë me një darkë në të cilën i  kishte marrë edhe drejtorët”, tha Kelmendi.

Sipas tij, kjo është bërë si arsyetim që kompanitë të mos e “qerasin” kryetarin me dreka e darka.

Sipas komunës së Obiliqit në projektin me kod Rrugët Lokale, i trashëguar nga ish qeverisja e Obiliqit, përfshihen në ndërtim gjithsej nëntë rrugë lokale të fshatrave përfshirë tri rrugë në Milloshevë, dy rrugë në fshatin Bakshi, një në Sibofc, një në Mazgit i Epërm (Lagjeja Mavriqi), një në Dardhishtë dhe një në Grabovc.

Për punimet e këtyre rrugëve tenderin e kishte fituar kompania “Trasing Grup” me ofertën më të lirë sipas procedurave të prokurimit publik.

“Nga 9 rrugë të shtruara dhe punuara me çdo standard që ne kemi paraparë në kontratë janë realizuar për mrekulli”, tha Burim Gërguri, drejtor  i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjenca.

Ai tha se për punët e mira që janë kryer në këto rrugë, çdo lagje ka shtuar dreka.

Gërguri tha se duke u bazuar në këtë “në finale këta punëtorë e kanë merituar edhe një drekë nga Komuna e Obiliqit sepse e kanë bërë punën me sukses”.

Për rrugën që është punuar në fshatin Mazgit i Ulët, komuna e Obiliqit kishte shpallur fitues operatorin “Al Trade’’.

Edhe për këtë rast, Burim Gërguri tha se “duke parë një pune fisnike që është duke u bërë që deri në këtë mandat nuk është pare më parë, këta punëtor e kanë merituar një dreke bashkë me qytetar për punën që kanë bere”.

Por përfaqësuesit e kompanisë “Trasing Grup”, thonë se ata nuk e dinë që fituan ndonjë drekë apo darkë nga Komuna qe ata i shpërbleu me tender.

“Unë nuk e di që ne kemi hangër ndonjë drekë a darkë, ose qe kemi pi ndonjë pije. Ndoshta punëtorëve ju kanë ofruar ndonjë pije, por ne s’dimë asgjë”, tha Kastriot Barisha, menaxher në këtë kompani.

Ndërsa Kompania “Al Trade” thotë se ata nuk e dinë që punëtorët janë qerasur me ndonjë drekë apo darkë nga Komuna e Obiliqit.

“E di që fshatarët e kanë prerë një kingj, si falënderim për punën e mirë qe punëtorët kanë bërë, por jo ndonjë drek a dark nga Komuna”, tha Avni Musliu, drejtor në këtë kompani.

Në lidhje me punët që janë bërë në këto rrugë, mirënjohës janë dhe banorët e Mazgitit të ulët, të cilët thane se punët janë kryer mirë.

Skënder Isufi tha se ata nuk kanë as një vërejtje në lidhje me rrugën, e cila është  pak e ngushte, por tha se kjo është si pasoj e një qytetari i cili nuk pranoi ta rrënoj shtëpinë.

Por në lidhje me drekat ai tha diçka tjetër.

“Drekë nuk ju kena shtru. Pije e çaj po, ama drekë jo. Kafe e lëngje ne ju kemi ofruar rregullisht por jo edhe darka”, u shpreh Isufi.

E përveç këtyre drekave e darkave që janë dhënë për punëtorët të cilët u kontraktuan  për t’i kryer ato punë nënkryetari Kelmendi ka edhe një arsyetim tjetër.

Ai thotë se një shumë të konsiderueshme të këtyre parave , ata e shpoenzuan edhe për mësmindhënësit.

“Ne kemi pasur edhe 7 marsin ditën e mësuesit dhe afër 5 mijë euro ne i kemi shpenzuar për mësimdhënsit e kësaj komune”, tha ai.

Kelmendi thotë se nëse ia heqin shumës së 8 mijë eurove 5 mijëe sa janë shpenzuar për mësimdhënsit atëher nuk janë shpenzuar edhe shumë para për dreka e darka.

Ai thotë se beson që nuk do të shpenzojnë shumë deri në fund të vitit.

“Ne e kemi planifikuar edhe një ndejë të cilën do ta bëjmë për fund vitë për të gjithë punëtorët e Komunës, por nuk besojmë që shuma do të kaloj shumen e planifikuar”.