#KallxoLive me Mimoza Kusari-Lila Tema: Konkursi për mësimdhënës në KK Gjakovë

Në një intervistë online për KALLXO.com, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar qeverisjen e mëhershme komunale se e ka degraduar arsimin. Ajo ka thënë se AAK-ja mban përgjegjësinë për degradimin e arsimit për shkak të qeverisjes shtatëvjeçare në këtë komunë.

E para e qytetit të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se qeverisja e mëhershme ka degraduar arsimin në këtë  komunë.
KALLXO.com ka nisur sot një projekt të ri të komunikimit online me kryetarë të komunave në të cilët këta të fundit do të përgjigjen në shqetësimet kryesore të raportuara nga qytetarët.
“AAK e mban përgjegjësinë për degradimin në arsim. Ka qenë 7 vjet në pushtet në Gjakovë”, tha ajo.

Ajo tha se ka pasur raste ku biologu ka ushtruar punën e mësimdhënësit të gjuhës angleze me arsyetimin se nuk ka pasur të interesuar. Por ajo tha se interesimi për pozitën e mësimdhënësit ka qenë shumë i madh.
Kusari- Lila u shpreh se drejtoria e arsimit ka përgaditur teste me shkrim për intervistë të parë për mësimdhënësit, të cilët kanë aplikuar.

Ajo ka pranuar se testet kanë pasur defekte, por nuk ka e ka vënë në dyshim kompetencën e atyre që i kanë përpiluar ato teste.
Ndërsa ka mohuar të gjitha akuzat se pas ardhjes së saj në pushtet janë vendosur në punë militantë partiakë.

“Ata që akuzojnë, le të na dëshmojnë këtë me fakte”, tha ajo.
Ajo shtoi se ata që thonë se po vendosim në punë militantë partiakë, tregojnë se kanë punësuar vetë militantë.
Sipas saj, Drejtoria Komunale e Rasimit është duke e bërë edhe verifikimin e emërimit të drejtorëve dhe gjatë këtij verifikimi janë gjetur vërejtje shumë të mëdha duke filluar nga shpallja e konkursit nga përzgjedhja e tyre dhe tek plotësimi i dokumentacionit të drejtorëve.

“Prej fillimit kur janë emëruar drejtorët janë emëruar më shumë me kritere që kanë anuar nga pesha politike sesa diçka tjetër dhe këta pastaj kanë sjellë deri të ky problem”.
Sa i përket funksionalizimit të Aeroportit të Gjakovës, Kusari tha se komuna është në pritje të konstituimit të institucioneve qendrore të cilat kanë në dorë disa vendime për t’i marrë.

“Po shpresoj se shpejt kemi me pasë parlament dhe qeveri që mundet me sjell vendime për arsye se Aeroporti i Gjakoves vetëm është ndërmarrje publike qendrore, duhet të zgjidhet Bordi i aeroportit të Gjakovës dhe të fillojnë përgatitjet për vënien në funksionim”, tha Kusari- Lila.
Sipas saj, ky aeroport do të jetë një ndihmë e madhe për ekonominë e lirë.
Po ashtu, ajo tha  se qytetarët mund të kenë problem me ngrohje, pasi që sipas saj ngrohtorja e Gjakovës është një ndërmarrje pothuajse e falimentuar.
“Do të kemi probleme me ngrohje në Gjakovë sivjet”, shtoi Kusari-Lila.