I Akuzuari Kërkon Avokat në Gjykimin e Punëtorëve të KEDS-it

Seanca kundër pesë personave, katër nga të cilët punonin në KEDS, është shtyrë ngase njëri nga të akuzuarit kërkoi avokat.

Xhemajl Ramadani që akuzohet për dhënie ryshfeti kërkoi avokatin që e mbron në një çështje tjetër për të cilën është i paraburgosur.

Ai u arsyetua se avokati i tij nuk ndodhet në këtë seancë, ngase nuk e dinte se ajo do të mbahej.

Për veprën penale për të cilën akuzohet Ramadani nuk parashihet caktim i avokatit sipas detyrës zyrtare, ndërsa vetë i akuzuari ende nuk ishte marrë vesh me avokatin e tij për ta mbrojtur në këtë proces.

Ramadani për mungesë avokati kërkoi shtyrjen e seancës dhe pastaj kryetarja e trupit gjykues vendosi që seanca të shtyhej.

Prokuroria ngriti aktakuzë me 18 qershor 2015 kundër Eset Tahirit, Gëzim Gashit, Jusuf Shaljanit, Qamil Bekteshit dhe Xhemajl Ramadanit.

Eset Tahiri, Jusuf  Shaljani, Qamil Bekteshi dhe Gëzim Gashi nga prokuroria akuzohen  për marrje të ryshfetit më datën 17 nëntor 2014 derisa ishin në kryerjen e detyrës zyrtare në cilësinë e teknikëve të humbjeve komerciale në KEDS.

Sipas aktakuzës atë ditë këta katër persona në Hotelin “Begolli” në Prishtinë nuk e evidentuan një kabllo nëpërmjet së cilës vidhej rryma, pasi i morën 1 mijë euro nga Xhemajl Ramadani për të mos ia shkyçur rrymën dhe për të mos konstatuar vjedhjen.

Shtyrjen e seancës e konfirmoi për KALLXO.com edhe Nikë Shala, avokati i Gëzim Gashit.

“Shqyrtimi fillestar nuk është mbajtur. Arsyeja ishte sepse një i akuzuar nuk kishte mbrojtës dhe i njëjti kërkoi nga gjykata t’i mundësohet që i njëjti ta sigurojë mbrojtësin e tij,” tha Shala.

Avokati tha se aktakuza nuk ka vërtetuar marrjen e ryshfetit nga i mbrojturi i tij.

“Klienti im dyshohet për marrje të ryshfetit. Konsideroj se nga hetimet e zhvilluara nga ana e prokurorisë me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar se klienti im ka marrë ryshfet në këtë çështje për të cilën është akuzuar,” tha Shala.

Seanca është shtyrë për 10 dhjetor.