FSPE: KEDS-i u Bën Presion Punëtorëve ta Lëshojnë Punën

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), Sherif Fejzullahu, ka shprehur pakënaqësinë me menaxhmentin e KEDS-it duke thënë se po përdorin metoda të ndryshe për t’u bërë presion punëtorëve që t’i lëshojnë vendet e punës.

Ai tha se rreth 250 punëtorë po planifikohet që t’i largojnë nga puna me përfundimin e Kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe KEDS-it në maj të vitit 2016.

“Menaxhmenti KEDS po përdorë lloj-lloj metoda duke i bërë presion punëtorëve të të gjitha profileve që të dorëzohen dhe të lëshojnë vendet e punës.  Një numër të kuadrit të vjetër, por edhe të rinj që veç i ka shfrytëzuar në poste të caktuara, i kanë larguar dhe strehuar në trafo-baraka dhe i ka lënë të pa angazhuar që ata të mërziten dhe të vendosin të lëshojnë vendet e tyre të  punës”, tha Fejzullahu.

Ai tha se në mesin e këtyre punëtorëve ka edhe femra.

Fejzullahu tha se kanë kërkuar edhe më herët që Qeveria e Kosovës që t’i përcjellë gjithë kontraktorët privat se a po i respektojnë rregullat mbi të drejtat e punëmarrësve në raport me ligjin e Kosovës dhe kontratën kolektive nacionale.

Ndërkohë ka fajësuar edhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), duke thënë se ata janë për të mbrojtur interesat e punëtorëve e jo të heshtin.

“BSPK duhet t’i mbrojë punëtorët, ta ngrit zërin, e jo të heshtë ashtu siç ka vepruar deri tani”, shtoi Fejzullahu.

Nëse vazhdohet me këtë presion ndaj punëtorëve, nënkryetari i FSPE-së ka paralajmëruar protestë. Ai tha se kërkojnë urgjentisht që ta ndalin fushatën e largimit të punëtorëve nga puna.

Ai ka kërkuar që t’u ofrojnë nënshkrimin e kontratës kolektive, dhe ata që i kanë dërguar në baraka, t’i kthejnë në vendin e punës.