Enver Sekiraqa: Prokurori është Politik

Arben Berisha dha sot dëshminë e tij në Rastin Sekiraqa për të tretën herë.

Prokuroria pretendon se Berisha e vrau Triumf Rizën i nxitur nga Sekiraqa, ndërsa Berisha thotë se vrasjen e  kreu për arsye personale.

Arben Berisha, është i dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e Rizës, por Berisha edhe sot në dëshminë e tij mohoi të ketë pasur ndonjë lidhje me Enver Sekiraqën, ai madje hodhi akuza në drejtim të prokurorit.

Në pyetjen e prokurorit se a e kishte pritur ai në parking Triumf Rizën për ta vrarë atë prapa shpinës, Berisha mohoi kategorikisht këtë.

“Jo se kam pritur Triumf Rizën askund hiq, unë rastësisht jam takuar me të në parking. Nuk e di se çfarë i ka dhënë zor ky prokuror, ky me kanë që punon për drejtësinë si duhet, nuk mi kish çu policinë në shtëpinë time me bo presione,” u përgjigj Berisha.

Prokurori Andrew Carney tha se nuk po bën presione, por se një njeri është vrarë dhe kjo është çështje serioze.

Prokurori deshi të vazhdojë përsëri me këtë pyetje, por kjo u kundërshtua si nga mbrojtja e Sekiraqës, por edhe nga vetë ai.

“Fuqimisht e kundërshtoj këtë lloj të marrjes në pyetje, pasi që këto nuk janë pyetje, por spekulime nga ana e prokurorit,” tha Bostjan Penko, avokat i Sekiraqës.

Ky kundërshtim i mbrojtjes nuk u pranua nga kryetari i trupit gjykues, ndërsa kjo e bëri të reagojë edhe vetë Sekiraqën.

“I nderuari kryetar, ju po doni të thoni se është e arsyeshme se policia me shku nëpër shtëpia me ju bërë oferta, presione, shantazhe njerëzve. Ky nuk është rasti i vetëm, por unë nuk po dua të merrem me të sepse ky i ka kaluar çdo kufi, ai edhe sot me lënë të kthehet mbrapa ai nuk di të kthehet brenda kufijve që i takon,” tha Sekiraqa.

Kryetari i trupit gjykues, i tha Sekiraqës se për këto pretendime mbrojtja e tij mund t’i përdorë mjetet  juridike në dispozicion, ndërsa Sekiraqa vazhdoi me akuzat e tij ndaj prokurorit.

“Unë i kam dhënë këtij informata me paketa, ky i ka fshehur në zyrë, sepse nuk guxon, sepse është prokuror politik, nuk është prokuror ligjor,” tha Sekiraqa.

Gjithashtu gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit, mbrojtja e Sekiraqës prezantoi një raport mjekësor sipas të cilit në trupin e të ndjerit Triumf Riza ishte gjetur alkool.

Seanca e radhës do të mbahet nesër.

Arben Berisha dëshmoi në gjykimin e Sekiraqës edhe më 29 e 30 tetor.

Berisha nisi dëshminë e tij më 29 tetor, kur tha se e qëlloi Rizën nga frika se do të vritej prej tij.