Foto: Ilustrim

Bosnjë, Viktimat e Përdhunimeve të Luftës Duhet të Flasin

Me mijëra viktima të dhunës seksuale nga konflikti i viteve 1990, të cilat s’kanë folur kurrë për vuajtjen e tyre, duhet të ndihmohen t’i japin fund ‘ciklit të heshtjes’, u tha në një konferencë në Sarajevë.

“Duam që publiku ta dijë për përdhunimet e kryera gjatë kohës së luftës, problemet e viktimave në hetim, gjyqi dhe faza pas gjyqit. Njerëz që janë përdhunuar përballen me stigmën, ata kanë frikë, shmangen nga publiku. Viktimat risjellin në mendje fjalët e kriminelëve të luftës, të cilët u thonë se do t’i vrasin nëse hapin gojën. Duhet ta luftojmë të gjithë këtë,” tha Bakira Hasecic, presidentja e shoqatës “Femrat – Viktima të Luftës”, për BIRN në një konferencë ditën e mërkurë.

Rreth 30 ekspertë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të viktimave dhe zyrtarë të sistemit gjyqësor morën pjesë në konferencën e cila kishte për synim rritjen e ndërgjegjshmërisë ndaj stigmës që i është bashkangjitur përdhunimeve të kohës së luftës.

Femrat heshtin, sepse kanë frikë se stigmatizohen, gjë që do të thotë se ato nuk dëshmojnë si dëshmitare në ndjekjet penale, tha Hasecic.

“Prandaj duhet t’i japim viktimave të gjitha llojet e mundshme të mbështetjes, që nga mbështetja mendore dhe psikologjike e deri tek ajo ekonomike. Të gjitha viktimat në Bosnje duhet ta ndiejnë këtë mbështetje, që është e vetmja gjë që mund të ndihmojë pajtimin, që mund të ndërtojë besimin dhe lidhjet midis njerëzve,” tha ajo.

Kryetarja e prokurorisë boshnjake për krimet e luftës, Gordana Tadic, tha se vitin e kaluar ajo arriti të padiste rreth 120 persona, shumë prej të cilëve për dhunë seksuale gjatë kohës së luftës.

“Viktimat duhet të inkurajohen nga statistikat. Ne po u japim prioritet këtyre çshtjeve dhe po bashkëpunojmë gjithashtu me institucione brenda Bosnjës dhe në rajon duke u përpjekur t’i zgjidhim të gjitha këto çështje,” tha Tadic.

“Po përpiqemi të sigurohemi që të gjithë ata që na kontaktojnë të marrin mbrojtje dhe mbështetje si dëshmitarë dhe prandaj jemi në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjithë përfaqësuesit e viktimave në vendin tonë,” shtoi ajo.

Jasmina Prpic, një anëtare e shoqatës “Avokatë pa Kufij”, tha se nse njerëzit nuk flasin për krimet e të kaluarës, komuniteti s’mund të ecë para.

“Pranimi i krimeve është ai që mundëson bashkëjetesën. Këtë e kemi parë nga reagimi gjerman ndaj Luftës së Dytë Botërore dhe përballja e tyre me krimet. Vetëm e vërteta hap dyert drejt të ardhmes,” tha Prpic.