Avokati i Armond Morinës: Prokurori Nuk di si Bëhet Një Film

Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, ish-ministra të Kulturës, dolën përsëri të hënën para gjyqit në akuzat për shpërdorim të detyrës.

Bashkë me ta për mashtrim në detyrë po akuzohen producentët Armond Morina dhe Nehat Fejza.

Ministria e Kulturës kishte përkrahur me para publike filmat “Mysafir në sofër” dhe “Ndjekja e Larës” me 570,000 euro.

Të hënën në gjykatore dëshmoi Sali Morina, deputet i Kuvendit të Kosovës i cili në atë kohë, në vitet 2005- 2006, mbante pozitën e drejtorit të Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës.

Dëshmitari tha se ka qenë në dijeni për dy projektet që bëhet fjalë por nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me departamentin e tij.

Morina në gjykatore tha se nuk ka ligj të veçantë për subvencione, dhe se për subvencione nuk ka nevojë për shpallje publike.

Sipas tij, në vitin 2008 duke u bazuar në kontratën paraprake, dhe në konsultim me zyrën ligjore edhe me këshilltarët e tij, ministri Beqiri ka nënshkruar aneks kontratën dhe më pas kanë vazhduar procedurat e implementimit.

Pas përfundimit të dëshmisë së Sali Morinës, avokati Arianit Koci mbrojtës i Armond Morinës, i propozoi trupit gjykues që të ftohet një ekspert i kinematografisë që të japë sqarime për rrethanat e xhirimit të një filmi.

Po ashtu avokati Koci propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet edhe Shkumbin Istrefi.

Prokurori i kundërshtoi propozimet e avokatit Koci dhe po ashtu propozoi që provat e deponuara nga i akuzuari Armond Morina të refuzohen nga gjykata.

Trupi gjykues mori aktvendim që të refuzohen propozimet e avokatit Koci që të ftohet një ekspert i kinematografisë dhe të dëgjohet dëshmitari Shkumbin Istrefi.

Po ashtu trupi gjykues mori aktvendim që të aprovohet propozimi i prokurorit që të refuzohen provat e paraqitura nga ana e Armond Morinës.

Avokati Arianit Koci pas seancës, tha për KALLXO.com se ka propozuar që të ftohet një ekspert të kinematografisë por se gjykata ia ka refuzuar dhe se nuk e di arsyen e këtij refuzimi.

“Krijimi i një filmi është proces shumë i kompleks unë sot kam propozuar ta thërrasim një ekspert të kinematografisë. Unë nuk e di për çfarë arsyeje gjykata e ka refuzuar propozimin tim, unë besoj që ky ekspert shumë çështje i kish sqaruar”, tha Koci.

Avokati Koci tha se prokuroria nuk e ka kuptuar se si bëhen xhirimet e një filmi dhe si krijohet një film.

“Thelbi i problemit është ky se prokuroria nuk e ka kuptuar  në esencë se si xhirohet një film dhe si krijohet një film”, tha Koci.

Në këtë rast gjyqësor ministrat e Kulturës Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri po akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimit, ndërsa producentët filmikë Armond Morina e Nehat Fejza për mashtrim në detyrë.

Haraqija që drejtoi këtë ministri në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.

Ky ministër, më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi ministrinë në vitet 2008 – 2010 kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100.000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Kjo çështje vazhdon prej kohësh dhe përfshin produksione filmike të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilat dyshohen për shkelje te afateve.