30 Ditë Paraburgim Për të Dyshuarin Tjetër për Terrorizëm

Gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar sot një të dyshuari për përfshirje në aktivitete terroriste masën 30 ditëshe të paraburgimit.

Gramoz Shabani, i lindur në vitin 1992, është marrë në pyetje nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, si i dyshuar për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Seanca dëgjimore ka përfunduar rreth orës 11:10 ndërsa gjyqtari Vehbi Kashtanjeva konfirmoi për KALLXO.com masën 30 ditëshe të paraburgimit për Gramoz Shabanin.

Ai tha se vendimi i shkruar do të nxirret më vonë, gjatë ditës.

Shabani është arrestuar më 20 gusht në Aeroportin e Prishtinës derisa po udhëtonte për në Stamboll.

Prokurori i rastit është Haki Gecaj gjë që tregon se bëhet fjalë për rast të ndarë nga ai i javës së kaluar kur u arrestuan mbi 40 të dyshuar për vepra të njëjta penale.

Prokurori Gecaj në kërkesën e tij ka shkruar se Shabani prej Stambollit donte të shkonte në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Në lëndën e prokurorit thuhet se Gramoz Shabani është i lindur në Prishtinë, me vendbanim në Milloshevë të Obiliqit, ndërsa mban edhe shtetësinë belge.

Kësisoj, gjyqtari i ka thënë se ai ka të drejtë ta informojë Ambasadën e Belgjikës në Kosovë për rastin e tij.

Kur ka dalë para gjyqtarit, sot, atij i është dashur t’i ofrohet përkthyesi nga gjuha frënge, meqë avokati i tij, Qerim Metaj, tha se Shabani e ka të vështirë ta kuptojë gjuhën shqipe.

Por Shabani ka thënë se është i lindur në Suedi, ndërsa me vendbanim në Bruksel.

Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Gramoz Shabanit. Në këtë kërkesë, prokurori thotë se nëse Shabani lihet i lirë ai “mund t’i asgjësojë provat edhe të ndikojë te frymëzuesit e tij për të cilët prokuroria do të zhvillojë hetime”.

Kur është pyetur nga gjyqtari nëse ka tentuar t’u bashkohet grupeve terroriste, Shabani tha se nuk ka pasur qëllim që të shkojë në Siri, por në një qytet që gjendet afër kufirit të Turqisë me Sirinë.

“Nuk kam pas me shku atje dhe nuk ka asnjë provë. Kam pas me shku në Stamboll dhe ne Hataj, në kufi me Siri por që gjendet në Turqi”, tha i dyshuari.

Ai u shpreh se gjërat të cilat i janë gjetur kur është arrestuar nuk janë të kundërligjshme dhe se ato i ka mbajtur “për qëllime komerciale”.

“Materialet që mi kemi gjetë do të shiteshin shtrenjtë në Hataj ku kam pas me shku. Kam pasë edhe shumë rroba me vete”, tha ai.

Gjyqtari e pyeti për një flamur të ISIS-it që i ishte gjetur kur është arrestuar. Gramori u përgjigj se atë flamur do ta kishte shitur “së paku 200 euro” në Hatai.

Gramozi kishte ardhur në Kosovë para një muaji bashkë me prindërit e tij.

Avokati Qerim Metaj tha se rasti i Gramozit është specifik dhe se është i bindur se “ai nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë rrjet terrorist”.

“Nuk ekziston dyshimi i bazuar në këtë rast. Por edhe nëse është ky dyshim, vepra ka mbetur në tentativë”, tha Metaj gjatë seancës dëgjimore.

Në kundërshtim me kërkesën e prokurorit për paraburgim, Metaj propozoi një masë tjetër, mbrojtje në liri, për klientin e tij.