Protesta per lirimin e Selimit e Demakut - FOTO KALLXO

Përfundon protesta për Sylejman Selimin e Jahir Demakun

Qytetarë e veteranë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mblodhën sot para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë për të protestuar për lirimin nga burgu të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Në mesin e protestuesve ishin edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

KALLXO.com është transmetoi drejtpërdrejtë protestën para Pallatit ë Drejtësisë. LINK

Bashkëluftëtari i Selimit e Demakut, Sami Lushtaku, tha se kërkesë e vetme e tyre është që të respektohen ligjet.

“Sylejman Selimi nuk është në burg, po është i kidnapuar. Uroj që ai të lirohet dhe t`i kthehet familjes, qytetarëve dhe Kosovës”, tha Lushtaku.

Xhavit Jashari nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, tha se kjo proteste është simbolike, por kërkesa sipas tij është e qartë.

“Mos të na e marrin këtë protestë se po protestojmë kundër drejtësisë, veç pse jemi para objektit të Drejtësisë, po ne po protestojmë pikërisht për drejtësi, që në emër të saj në mënyrë të padrejtë po mbahen në burg Sylejman Selimi e ushtarët tjerë të UÇK-së”, tha Jashari.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, tha se Selimi është dënuar dhe mbajtur në burg vetëm për t`ia bërë qejfin dikujt.

“Tani më dihet se po mbahen me shumë se 5 vite në vuajte dënimit, të cilët janë të dënuar në mënyrë të kundërligjshme vetëm për të ia bërë qejfin dikujt tjetër”, tha Gashi.

Kujtojmë se më 24 maj 2013 ishte arrestuar gjeneral Sylejman Selimi dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar më 6 vjet burg.

Ndërsa, më  7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj.

https://kallxo.com/protesta-per-lirimin-e-sylejman-selimit-e-jahir-demakut-foto/