Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Për shuarjen e ‘mbrojtjes civile’, u dhanë rroga pa punuar kurrë

Në respektim të marrëveshjes së Brukselit, dhe shuarjes së ashtuquajturës “mbrojtje civile” në veri të vendit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim t’i punësoj 18 persona nga komuniteti serb.

Ata u paguan mbi 92 mijë euro pa punuar fare dhe objekti ku pritej të punonin u dogj pas inaugurimit.

Përmes raportit të auditimit për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) për vitin 2018-të, u bë e ditur se janë realizuar pagesa për punëtorët e komunitetit serb pa punuar fare.

Në raportin e ZKA-së, thuhet se me vendim të Qeverisë nr.06/39 i datës 22.07.2015, të bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” në veriun e Mitrovicës, ministria ka qenë e obliguar t’i sistemoj 18 punëtorë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Në 2016-ën u punësuan 18 zyrtarë për integrime evropiane në anën tjetër nuk ka dëshmi se ata punuan përderisa u paguan paga mbi 92 mijë euro.

“Marrëdhënia e punës për tetëmbëdhjete (18) zyrtarët është formalizuar në vitin 2016, në departamentin për integrime evropiane, si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal. Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE. Këta punonjës, gjatë vitit 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar 92,336€. Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e punëtorëve dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të ministrisë për t’i angazhuar”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori tregon se rregullorja Nr. 05/2010 e orarit të punës në shërbimin civil, neni 7 pika 1 përcakton se ”gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës, çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik” dhe pika 2 thekson se “mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore.

Pagesën e pagave për zyrtarët pa punuar hic, Auditori e sheh si rrezik të dëmtimit të buxhetit dhe mos arritjen e objektive të marrëvshje për integrimin e komunitetit serb në sistemin e Republikës së Kosovës. Ministrit i rekomandoi të shqyrtoj arsyet e problemit, të ndërpres pagesën e pagave dhe ta adresoj në Qeveri.

MZhE pajtohet pjesërisht me të gjeturën, thotë u dogj godina

MZhE u pajtua pjesërisht me këtë të gjetur përderisa në të njëjtin raport jep sqarime dhe detaje lidhur me integrimin e këtyre të punësuarve.

“Nëpunësit civil të integruar në MZHE si obligim i adresuar nga Marrëveshja e Brukselit dhe vendimit të Qeverise me nr 06/39 i datës 22.07.2015 ka qene i paraparë të jetë në objekt të Qeverisë në pjesën e Mitrovicës së Veriut. MZHE-ja, ka siguruar inventarin dhe ka përgatit kushtet për punë në objektin e ri të Qeverisë përmes MAP në pjesën Veriore, ka siguruar tavolinë pune dhe kompjuter personal për secilin nëpunës dhe nëpërmes koordinatorit Defrim Shala ka thirrur stafin e integruar na takime për udhëzimet e nevojshme qe të filloj punën në baza ditore, te cilët kanë qene të gatshëm që të paraqiten në punë dhe të realizojnë detyrat në bazë ditore”, thuhet në komentin e MZhE-së.

Tutje MZhE sqaron se çka shkoi keq dhe çka ndodhi me objektin ku pritej të punonin zyrtarët e komunitetit serb.

“Mirëpo, një ditë pas inaugurimit të objektit qeveritar në Mitrovicën e Veriut objekti është demoluar me eksploziv. MAP-i është përgjegjëse për renovim të objektit, e qe sipas njoftimeve të MAP funksionalizimi i objektit ende nuk është i gatshëm për punë. Duhet cekur se janë organizuar edhe takime trajnimi me qellim njoftimin edhe te legjislacionit përkatës te shërbyesve civile dhe ligjet tjerat ne fuqi”, sqaroi MZhE

Në anën tjetër Auditori mbetet i pa lëkundur nga gjetja e tij se këta punëtor nuk kanë punuar asnjëherë dhe janë paguar.

“Me sigurimin e kushteve të punës në veri është përgjegjëse Ministria e Aadministratës Publike (MAP) dhe jo MZHE sido që të jetë ne jemi siguruar se këta punëtor nuk kanë punuar asnjëherë prandaj edhe kemi konsideruar se pagesa është pa vijueshmëri në punë. Ajo çfarë pohon MZHE paraqet vetëm shkakun, Në mungesë të dëshmive shtesë dhe justifikimeve të pabaza, gjetja dhe rekomandimi mbeten apo nuk ndryshohen”,  thotë Auditori.