Për Gazetarët e Kosovës, Gjithnjë e më Vështirë

Në raportin e fundit vjetor të organizatës “Reporterët pa Kufij”, Kosova ka rënë për tri vende më poshtë në ranglistën botërore në çështjen e lirisë së mediave.

Në arsyetimin për këtë rënie, kjo organizatë thotë se “të gjitha simptomat e këqija për lirinë e mediave mund të gjenden në Kosovë.

Për këtë, “Reporterët pa Kufij” përmendin mungesën e financimit, mediat pa pronarë, shkrime të publikuara pa autor si dhe  ndërhyrjes direkte dhe indirekte të politikës në media.

Ekspertë të gazetarisë në Kosovë thonë se ky profesion po shkon drejt degradimit si pasojë e këtyre dukurive.

Për kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, vlerësimi i organizatës botërore për mbrojtjen e gazetarëve është shqetësues.

“Reporterët pa Kufij po e paraqesin atë që ne e kemi thënë vazhdimisht, që në Kosovë çdo herë e më shumë po bëhet e vështirë për të bërë gazetari, duke u nisur nga presioni i vazhdueshëm nga palët e pakënaqura, presonit politik që vjen direkt prej politikanëve ose bizneseve që lidhen me politikë”, tha Shabani për KALLXO.com.

http://kallxo.com/kosova-bie-poshte-ne-raportin-per-lirine-e-shtypit/

Ai tha se e gjithë kjo vjen si pasojë e mosfunksionimit të drejtësisë në vend.

Edhe Shabani pajtohet se një ndër problemet kryesore qëndron te shumë media të cilave nuk u dihet saktësisht pronari dhe nuk dihen se kush janë gazetarët që shkruajnë për to.

“Çdoherë e më shumë po kemi media që janë të financuara nga grupe të caktuara të biznesit e që shpesh herë janë politike ose të lidhura me politikën”, th ai.

Gazetari i dikurshëm, Bardh Rugova, tani ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë për KALLXO.com se nuk është i befasuar nga gjetjet e raportit.

“Ajo që është shumë karakteristike është se shumëkush mendon se liria e mediave pengohet me dhunë të drejtpërdrejtë, por mekanizmat që janë përdorur vazhdimisht në Kosovë nuk kanë qenë dhuna e drejtpërdrejtë sa kanë qenë mekanizma të tjerë e kjo është bërë nga njerëz të pushtetit dhe jo doemos nga njerëz të politikës”, tha Rugova.

Sipas tij, këta njerëz janë munduar që “ta neutralizojnë të vërtetën e mediumit” përmes metodave speciale.

“Nëse dikush del dhe shkruan sot diçka, janë 2-3 mediume të vogla që dalin dhe e mbrojnë të korruptuarin në një anë, dhe në anën tjetër do të ketë një fushatë ndaj atij që e ka denoncuar korrupsionin”, tha Rugova.

Ai tha se një gjë e tillë është edhe duke e dëmtuat edhe lirinë e shprehjes edhe cilësinë e gazetarëve.

“Shumë pak jam duke vërejtur do ta quaj gazetari të guximshme e cila ka qenë si mekanizëm shënjues i gazetarisë së Kosovës para 15 viteve, shumë më shumë po shoh sasi informacionesh të cilat duken në dukje të parë si njëfarë hulumtimi por në fakt janë kryesisht fushata ose porosi të dikujt tjetër”, tha ai.

Raporti është komentuar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit parlamentar për media.

Për deputeten nga radhët e LDK-së, Alma Lama, raporti i “Reporterëve pa Kufij” është i saktë për atë pjesë të realitetit që ka përshkruar.

Por, sipas saj, ekziston edhe pjesa tjetër e realitetit që lidhet me mungesën e profesionalizmit të mediave, veçanërisht portaleve, disa prej të cilave përdoren si “mjete shantazhi ndaj personaliteteve të caktuara në politikë apo biznes”.

“Shpesh këto portale atakojnë personalitete, shpifin apo shtrembërojnë faktet e deklaratat, bëjnë propagandë etj. Pra ka ardhur koha që gazetarët përpara se ta shohin veten si viktimë, të reflektojnë për etikën profesionale të tyren, të rrisin transparencën e financimit të tyre dhe pronarëve të tyre”, tha Lama për KALLXO.com.

Ndërsa Zenun Pajaziti, deputet nga PDK, thotë se raporti i organizatës është bërë pa u thelluar në çështje.

“Shpesh herë na përsëritën raportet e tilla, sidomos kur është fjala për ndërhyrje të shtetit, të sferave politike dhe në fakt ne shikojmë krejt këto pa bërë ndonjë vlerësim, ndonjë thellim në këtë çështje”, tha ai.

Pajaziti kërkoi nga gazetarët që pikërisht këto ndërhyrje t’i adresojnë dhe që mos të lejohen që të bëhen ndërhyrje nga ana e politikës ose e shtetit.