Panairi që synon përmirësimin e imazhit të Ballkanit Perëndimor

Në hapje të Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” që po zhvillohet në fshatin Shkabaj, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se me këtë aktivitet po përmirësohet imazhi i Ballkanit Perëndimor.

“Ky panair po ndodh në ditën kur është prezantuar Raporti i Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, po ndodh në ditën kur ka pasur kritika për ngecje në procesin e integrimit dhe ne si oda ekonomike dhe si komunitet i biznesit besoj që sot po promovojmë një vlerë integruese, një orientim drejt familjes europiane dhe mbi të gjitha një stabilitet dhe përmirësim të imazhit të Ballkanit Perëndimor”, tha Safet Gërxhaliu.

Në panair po marrin pjesë 178 kompani nga rajoni dhe Europa, ndërsa Gërxhaliu deklaroi se veçanti e sivjetme e panairit është pjesëmarrja e instituteve që merren me edukim dhe arsim.

Zhelko Stasheviq, njëri nga pjesëmarrësit në panair që përfaqëson kompaninë “Amiga” nga Kraleva, tha se Kosova është vend i mirë i të bërit biznes.

“Pas pjesëmarrjes në këtë panair dëshirojmë ta zgjerojmë bashkëpunimin dhe të forcojmë pozitat në këtë treg. Shpresojmë që panairi do të jetë i suksesshëm si për ne, si për kompanitë tjera serbe. Mendojmë që kemi çfarë t’u ofrojmë kompanive kosovare dhe që ka hapësirë për bashkëpunim ekonomik”, tha Stasheviq.

Edhe Ilir Zhabari, drejtor i firmës “Segment Kosova”, tha se në Kosovë mund të ketë sukses në biznes, por duhet që prodhimet të jenë unike.

“Varet çfarë produkti ofron, sa është unik ai produkt ose sa është unik ai shërbim. Është shumë e përshtashme Kosova për të bërë biznes, thjesht duhet me gjetë formulën e duhur të të bërit biznes” tha Zhabari.

Edhe Ditlum Bajraktari, menaxher i kompanisë “Seti Comerc”, tha se panairi i sjell gjithmonë sukses.

“Është viti i dytë që marrim pjesë në këtë panair. Panairi ka sukses të madh për kompaninë tonë sepse i informojmë njerëzit që është prodhim vendor”, tha Bajraktari.

Në hapje të panairit folën edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani.

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2018 do të jetë i hapur deri më 21 prill.

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot një konferencë për gazetarë në të cilën shprehu shqetësimin për pjesëmarrje të shumë kompanive nga Serbia në këtë panair dhe për mungesë të kompanive nga Shqipëria.