Foto: Kallxo.com

Pagat në sektorin publik të pabarabarta për pozitat e njëjta

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagçilar, gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për pagat në sektorin publik, ka treguar për gjendjen aktuale të pagave, duke thënë se nuk sigurohen paga të barabarta për punëtorët që e bëjnë punën e barabartë në institucione të ndryshme.

SIpas Yagçilar, gjendja aktuale në lëmin e pagave që realizohen nga buxheti i shtetit ka krijuar një situatë të pavolitshme për pozitat e barazsvlefshme.

“Në institucione të ndryshme për pozita të njëjta ose të krahasueshme janë të vlerësuara me nivele të ndryshme të pagave ose kompensimeve”, tha Yagçilar.

Sipas tij kjo gjendje ka ardhur shkaku i akteve nënligjore të shumta dhe vendimeve të veçanta.

“Kjo gjendje është krijuar sepse ka shumë akte të veçanta ligjore dhe nënligjore, vendime të veçanta me të cilat janë përcaktuar nivele të ndryshme të pagave dhe kompensimeve tjera për të punësuarit që përfitojnë nga buxheti i shtetit. Nuk siguron pagë të barabartë për punën e barabartë”, tha Yagçilar.

Prandaj, sipas ministrit ka qenë e rëndësishme të hartohet ky ligj.

Grupi Parlamentar i PDK-së, e përkrah në parim këtë projektligj. Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku, tha se do të shohin me kujdes fazën e amandamentimit të këtij projektligji dhe se nuk do të lejojnë diskriminime.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, do të shoh me shumë kujdes fazën e amandamentimit për të mos lejuar në asnjë sektor diskriminime dhe t’i shikoj me kujdes sindikatat”, tha Izmaku.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina e ka përshëndetur që në Kuvend është dërguar Projektligji për pagat në sektorin publik.

“Është për t`u përshëndetur që kanë ardhur këto projektligje edhe pse renditja është e mbrapshtë. Së pari do të duhet të diskutohej ligji për administratën shtetërore, ligji për zyrtarët publik dhe më pas të vendosim si t`i paguajmë ata”, tha ajo.

Ajo shtoi se ka pabarazi në paga në sektorin publik.

“Një gjyqtar apo një prokuror është më i vlerësuar se një mjek specialist. Do ta mbështesim në parim këtë Projektligj, por shtojca 1 duhet të ndryshohet rrënjësisht. Të rriten pagat në sektorin arsimor dhe shëndetësor. Nuk mund të ketë rritje të cilësisë dhe as zhvillim ekonomik pa mbështetjen në këta dy sektorë”, tha ajo.

Rasim Selmanaj AAK, kërkoi nga Kuvendi që ta mbështesin projektligjin në fjalë, edhe pse ka përmendur disa parregullsi dhe trajtime të pabarabarta për sektorë të caktuar.

“Punëtorët në arsim nuk janë trajtuar njësor si ata në sektorët e tjerë.  Ka pabarazi dhe mangësi dhe mbetet ende për t’u bërë në këtë proces”, tha ai.

Pas këtij diskutimi Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:00 me kërkesë të deputetes së PSD-së Shqipe Pantina.