Takimi i përbashkët i kryetarëve të grupeve parlamentare Foto: Kuvendi i Kosoves

BE e OSBE bëjnë bashkë partitë politike, pajtohen për forcim të sistemit zgjedhor

Partitë politike të Kosovës janë bërë bashkë dhe kanë nënshkruar një deklaratë kur zotohet për të punuar për përmirësimin dhe forcimin e sistemit zgjedhor në Kosovë.

Kryetarët e grupeve parlamentare së bashku me përfaqësuesen e BE në Kosovë, Natalia Apostolova dhe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu kanë nënshkruar këtë deklaratë të përbashkët.

“Në këtë drejtim, kryetarët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord të themelojnë një komision ad hoc parlamentar për të përmirësuar dhe përforcuar procesin zgjedhor, duke adresuar rekomandimet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE që janë lëshuar që nga viti 2013. Kryetarët e grupeve parlamentare do t’i propozojnë Kuvendit të krijojë një Komision ad hoc në një nga seancat e ardhshme plenare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ky komision ad hoc parlamentar do të formoj edhe një grup punues këshillues të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

“Kryetarët e grupeve parlamentare ftuan të dy institucionet për të mbështetur dhe ndihmuar përpjekjet e tyre për të përmirësuar kornizën legjislative zgjedhore”, thuhet në fund të komunikatës.