Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Kosova mirëpret udhëheqjen e re të BE-së

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli ka mirëpritur udhëheqjen e re të BE-së.

“Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se nuk varet nga origjina kombëtare roli që dikush do të luajë në Bashkimin Evropian dhe politika e jashtme e Bashkimit Evropian varet nga shtetet anëtare nga të cilat shumica e kanë njohur Kosovën”, ka shkruar ministri i Jashtëm i Kosovës në Facebook.

Tutje Pacolli ka thënë se presin që të forcohen marrëdhëniet në mes Kosovës dhe BE-së.

“Presim që ne do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet me BE edhe pse BE po kalon momente të vështira, çelësi i marrëdhënieve tona mbetet liberalizimi i vizave ku presim që BE të marre vendimin, të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe procesi i zgjerimitn të mos ndalet”, shkroi tutje ai.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të marrë një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çdo vonesë e mëtejshme nuk ka arsye. Sikurse ka konfirmuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe nuk duhet të ketë arsye politike që pengojnë këtë proces teknik. Ne jemi duke punuar me të gjitha shtetet anëtare për t’u shpjeguar atyre nevojën për dhënien e udhëtimit të lirë në Kosovë. Çdo vonesë do të dëmtojë kredibilitetin e BE-së në Kosovë dhe rajon dhe do të tregojë se reformat zbatuese dhe standardet e kërkuara nga BE nuk paguhen. Kjo është e dëmshme për të ardhmen evropiane dhe forcën e BE-së”, deklaroi Pacolli.

Ai ka përmendur edhe mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Spanjës për të cilën ka thënë se presim ta njohë vendin sa më shpejtë.

“Kosova është një vend që synon të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë Spanjën. Ne i kemi kërkuar qeverisë spanjolle të njohë Kosovën dhe të mbështesë rrugën e Kosovës drejt konsolidimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian. Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, pozicioni spanjoll ka qenë një vijë e ashpër ndaj Kosovës. Ne presim dhe po punojmë me të gjithë aktorët dhe vendet për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me ta”, thuhet në fund të postimit të tij.

https://kallxo.com/marreveshja-kryetar-i-ke-ministrja-gjermane-shef-i-diplomacise-se-be-se-spanjolli-borrell/