Qeveria e MPB e lënë me 'gishta në gojë' policin e plagosur në veri

Ministri Ekrem Mustafa ka konfirmuar për KALLXO.com se ministria e tij nuk mund të ndajë asnjë kompensim për policin i cili u plagos të martën në veri.

“Ne nuk i japim dëmshpërblim, do të kujdesemi vetëm për shëndetin e tij, sepse është punonjës i yni  por dëmshpërblim jo. Qeveria mund të marr vendim për ndonjë dëmshpërblim, por ne jo”, ka thënë Mustafa. Ai nuk ka folur për ndonjë iniciativë që në mbledhjen e radhës së qeverisë të propozoj ndarjen e ndonjë dëmshpërblimi.

Me 28 maj u zhvillua një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës, i cili kishte cak bastisjen e disa lokacioneve dhe arrestimin e disa personave të cilët dyshoheshin se kanë lidhje me kontrabandën në veri të Kosovës.

Gjatë këtij aksioni, i plagosur me armë zjarri mbeti një zyrtar i Policisë së Kosovës, dhe disa të tjerë pësuan lëndime trupore gjatë intervenimit.

Shaban Tasholli, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se shërimi i policit të plagosur dhe intervenimet e nevojshme mjekësore mbulohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.

“Dëmshpërblim nuk e di por atij çdo gjë, çdo shërbim, çdo intervenim mjekësor të gjitha i paguhen nga Drejtoria e Policisë. Me qenë se  parashihet se është plagosur në detyrë, për dëmshpërblim nuk kemi pasur rast, nuk parashihet dëmshpërblim”, ka thënë Tasholli.

19 vjet pas themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj nuk kanë ende sigurim shëndetësor, jetësor dhe aksidental.

Edhe pse Sindikata e Policisë së Kosovës për shumë vite ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pjesëtarëve të Policisë t’u bëhet e mundur të kenë këto sigurime por deri më tani asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e sigurimit jetësor, shëndetësor dhe aksidental të zyrtarëve policor.