Avokati Ahmet Tahiri - Foto: KALLXOcom

Njëri nga të dyshuarit për pjesëmarrje në organizata terroriste mbrohet në heshtje

Arijan Kryeziu, njëri nga katër të dyshuarit për pjesëmarrje në luftën në Siri, gjatë seancës dëgjimore është mbrojtur në heshtje.

Kështu ka treguar avokati i tij, Ahmet Tahiri.

Tahiri tha se e kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarit Kryeziu.

“Ne e kundërshtuam kërkesën e Prokurorisë për shkak se nuk i përmbushte kushtet ligjore për përcaktimin e paraburgimit dhe jemi në pritje të vendimit”, tha avokati.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit po vazhdon edhe ndaj të dyshuarve të tjerë.

Arijan Kryeziu me 110 persona të tjerë aterruan në Aeroportin e Prishtinës të premten mbrëma nga Siria.

Ai bashkë me tre personat e tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë ishin arrestuar menjëherë pas kthimit nga Siria nën dyshimet për pjesëmarrje në luftërat e huaja.

Në mesin e 110 kosovarëve të kthyer nga Siria janë edhe 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijët që kanë humbur prindërit në luftën e atjeshme.

Të gjithë këta persona po qëndrojnë në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës.

https://kallxo.com/tre-luftetaret-e-dyshuar-te-grupeve-terroriste-sot-dalin-para-gjykates/

www.kallxo.com