Aksidenti te Ura e Fshajtë - Foto: KALLXO.com

Një i Vdekur në Aksident Trafiku

Një person rreth 30-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda në një aksident që ka ndodhur pak pas mesnatës në rrugën Gjakovë – Prizren, mbi Urën e Fshajtë.

Aksidentin tragjik për KALLXO.com e konfirmoi komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës Krist Gjokaj.

“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:15 pas mesnatës te Ura e Fshajtë. Makina është vetaksidentuar duke humbur kontrollin. Si pasojë pasagjeri ka humbur jetën ndërkaq shoferi ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është jashtë rrezikut për jetën”, tha Gjokaj për KALLXO.com.

Sipas komandantit Gjokaj, i lënduari është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë dhe i njëjti është në ndalim policor.