Një qytetar duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

Nisin Votimet për Kryetarët e 19 Komunave dhe Rivotimi për Kryetar të Parteshit

Qytetarët me të drejtë vote të 19 komunave të Kosovës votojnë sot për të zgjedhur prijësit e komunave të tyre për një mandat katërvjeçar.

Nga 38 komunat e vendit, 19 nuk arritën të zgjedhin kryetarët në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajt më 22 tetor.

Ndërsa, në komunën e Parteshit do të rivotohet për kryetar të Komunës. Kjo pas ankesës së bërë në PZAP nga njëri prej kandidatëve, i cili kishte denoncuar parregullsitë në disa vendvotime. Ankesa ishte pranuar si e bazuar dhe KQZ ishte urdhëruar të organizojë rivotimin.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, të drejtë vote në votimet e sotme kanë 1.353.613 votues.

Numri i qendrave të votimit është 614 ndërsa ai i vendvotimeve 1.777.

Ndërsa, në rivotimin për kryetar të Komunës së Parteshit të drejtë vote kanë 4.694 votues. Numri i qendrave të votimit është 3 e i vendvotimeve 7.

Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Në zgjedhjet e sotme votohet për kryetar të: Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt, Obiliqit, Suharekës, Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Kamenicës, Kaçanikut, Dragashit, Podujevës, Istogut, Klinës, Shtimes, Vushtrrisë dhe Kllokotit.

Ndërsa, në rrethin e parë të mbajtur më 22 tetor janë zgjedhur kryetarët e 18 komunave si dhe anëtarët e asambleve të 38 komunave sa i ka Kosova.

Rezultatet përfundimtare të 22 tetorit mund t’i gjeni në këtë link.

Zgjedhjet e sotme do të monitorohen nga mijëra vëzhgues dhe monitorues, përfshirë edhe ata të BIRN dhe Internews Kosova.