Sami Lushtaku | Foto: Atdhe Mulla
Negociatat e Ratelit për Dorëzimin e Lushtakut
Aktakuza e prokurorit të EULEX-it Romulo Mateus që ngarkon 24 persona lidhur me rastin e arratisjes së Sami Lushtakut në kohën sa ishte në paraburgim lidhur me rastin “Drenica 1”, vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe procesit të negocimit të zhvilluar në mes të kryeprokurorit të EULEX-it, Jonathan Ratel, dhe përfaqësuesve Të të akuzuarve.
Sipas aktakuzës, Ratel arriti në dhomën e improvizuar të operacioneve në Kardiologji në QKUK, rreth orës 15:55 të 20 majit 2014 dhe pastaj ftoi avokaten e Sami Lushtakut, Luljeta Gjinovcin dhe të birin e tij, Mërgim Lushtakun, në një takim në prezencë të Policisë së Kosovës.
“Në atë takim ai u premtoi atyre se do të flasë me gjyqtarin e procedurës paraprake lidhur me transferin e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë”, thuhet në aktakuzë.
Takimi i ftuar nga Ratel përfundoi në orën 18:15 ndërsa ai pastaj e njoftoi Rashit Qalën nga Policia e Kosovës se ishte duke u marrë me rastin dhe se ishte në kontakt me mbrojtjen e Lushtakut, duke u përpjekur ta kthente atë në QKUK.
Të nesërmen, Ratel sipas aktakuzës ishte pjesë e takimi me Sokol Zogajn, Shemsi Hajrizin e gjithashtu edhe me Emrush Thaqin e Hajredin Kuçin, e në të cilin takim ishte edhe Rashit Qalaj dhe gjykatësit e EULEX-it.
“Ratel e njoftoi Qalajn se ai ishte në kontakt me avokatin e Sami Lushtakut dhe se ai do të dorëzohej te shërbimi korrektues nëse gjyqtari do t’i jepte një leje me shkrim se ai nuk do të transferohej në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë”, thuhet në aktakuzën voluminoze të Mateus.
Gjithashtu, prokurori përmend edhe një detaj interesant ku Ratel e urdhëroi Policinë e Kosovës që të largohej nga spitali dhe se ai do të merrej me këtë çështje.
“Pas disa diskutimeve, Ratel tha se do ta merrte personalisht çështjen lidhur me arratisjen e tre të paraburgosurve në duart e tij dhe urdhëroi shefin e operacioneve të Policisë së Kosovës të tërheq policët nga objekti i spitalit për 5 minuta”, përshkruan Mateus në aktakuzën e tij.
Përveç kësaj, sipas aktakuzës, Ratel e bëri shumë të qartë se asnjë hetim nuk do të zhvillohej lidhur me këtë çështje.
Të nesërmen e këtij diskutimi, më 22 maj 2014, sipas aktakuzës kur ende nuk dihej vendndodhja e të arratisurve, gjyqtari i procedurës paraprake lëshon urdhërarrest për të arratisurit.
Po këtë ditë, në orën 23:00, komandanti i Policisë së Kosovës, Binak Berisha ishte informuar nga djali i Sami Lushtakut, Mërgimi se të akuzuarit po të lejoheshin të shkonin nga QKUK në qendrën e paraburgimit në Dubravë, nuk do të kishte asnjë problem të shkonin atje, ndërsa gjithnjë sipas aktakuzës, në po të njëjtën kohë në dhomën e operacioneve të improvizuar në QKUK arrin edhe Jonathan Ratel së bashku më Luljeta Gjinovcin.
“Ai e informoi Binak Berishën se donte të shkonte në dhomën e e spitalit të Sami Lushtakut. Kapiteni Safet Jashari e shoqëroi Ratelin dhe Gjinovcin dhe kur dera e dhomës së spitalit u hap, Safet Jashari, pa në dhomë Sami Lushtakun, Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën”, përshkruhet në aktakuzë momenti i shfaqjes së Lushtakut dhe të tjerëve në QKUK.
http://kallxo.com/aktakuze-gjigante-per-arratisjen-e-sami-lushtakut/
Pasi Ratel informoi Berishën së tre të paraburgosurit ishin kthyer në QKUK, rreth orës 00:42 ata të tre u kthyen në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.
Më 23 maj 2014 filloi procedura disiplinore lidhur me këtë ngjarje ndaj tre oficerëve të Shërbimit Korrektues: Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ndërsa urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake i datës 19 maj 2014 për transferimin e të paraburgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën Veriore nuk u zbatua asnjëherë.
KALLXO.com ka raportuar me një seri të shkrimeve lidhur me aktakuzën e prokurorit Romulo Mateus, e cila u dorëzua javën që po lëmë pas në gjykatë.
Rukolli e Obligoi Dëshmitarin e Lushtakut për Deklaratë