Foto operacioni ortopedi

Në temperatura të larta QKUK-së i prishet klimatizimi

Prishja në sistemin e klimatizimit, ka bërë që e gjithë Qendra Klinike Universitare e Kosovës të mos ketë rregullim të temperaturës së ambientit dhe filtrim të ajrit.

Mjekët të cilët kanë punë nëpër salla operative bashkë me gjithë stafin përcjellës janë të detyruar të kryejnë operacione në temperatura të papërshtatshme.

Me gjithë të nxehtin që po mbretëron këto ditë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i është prishur  klimatizimi dhe mjekët po detyrohen që të kryejnë operacione në temperatura shumë të larta duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e pacientëve.

Zyra për informim në Qendrën Klinike Universitare thotë se sa i përket sallave operative në bllokun kirurgjik ata janë në fazën e vlerësimit të dëmit.

“Është identifikuar se bëhet fjalë për prishje-dëmtim të çilerave, problem ky që ka qenë për vite të tëra” thuhet në përgjigjen e tyre.

Problem nuk ka vetëm në bllokun kirurgjik në QKUK, problem me nxehtësinë kanë edhe pacientët e shtrirë në klinika të ndryshme. Aty nuk ka kondicioner që të freskohet hapësira e cila përveç temperaturave të larta krijon edhe një aromë të keqe.

Për çështjen e dhomave të pacientëve QKUK thotë se janë munduar të gjejnë zgjidhje alternative.

“Janë vendosur perde në shumicën e klinikave, ndërkohë që në projektet afatmesme dhe afatgjata në të cilat menaxhmenti është duke punuar, parashihet investime në klimatizime të klinikave.” thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa një prind me fëmijën e shtrirë në Klinikën e Pediatrisë thotë se është shumë i vështirë qëndrimi aty.

“Përveç nxehtësisë së madhe ka edhe mungesë të kushteve elementare, janë minimum tre fëmijë në një dhomë secili me nënën e vet dhe kështu krijohet një tollovi e madhe, aromë e pakëndshme, nxehtësi dhe ambient aspak i përshtatshëm për t’u shëruar një fëmijë” thotë për KALLXO.com N.N.

Mungesa e filtrimit të ajrit nëpër salla operative dhe nxehtësia e madhe janë faktor rreziku për shfaqjen e infeksioneve te pacientët.