Në Prishtinë ndizen qirinj në nderim të ish-presidentit Bush

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi dhe shumë qytetarë, sonte ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë në nderim të ish-presidentit amerikan, George H.W. Bush.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se përveç që sot ka marrë vendim që në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë t’i kushtohet miqësisë mes ShBA-së dhe Kosovës, ndezja e qirinjve në orët e mbrëmjes po bëhet në shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e presidentit George H. W. Bush.

“Konsideroj që ky respekt është i nevojshëm, sepse vërtet ka bërë shumë për popullin tonë dhe për Kosovën në vitet kur ishte në pyetje ekzistenca e vendit tonë dhe humbja e shpresës. Ishte pikërisht presidenti Bush, tashmë i ndjerë, i cili i pari dha një sinjal dhe një shpresë të madhe për popullin tonë, kur edhe vendosi vijat e kuqe”, shtoi Bytyqi.

George H.W. Bush ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shërbeu gjatë viteve 1989-1993.

Bush vdiq më 30 nëntor të këtij viti, sot SHBA zhvilloi ceremoninë shtetërore të varrimit, ndërkohe edhe në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi shpalli ditën e sotme ditë zie shtetërore për nder të Bush./21Media