Në mungesë të prokurorit, shtyhet gjykimi ndaj ish drejtoreshës së OJQ -së për bamirësi

Në mungesë të prokurorit, ka dështuar të mbahet seanca në gjykimin që po zhvillohet ndaj Edita Dulës, e akuzuar se në cilësi të drejtoreshës së organizatës bamirëse “Nëna dhe fëmijë të lumtur”,  kishte përvetësuar dhe kishte keqpërdorur besimin.

Gjykatësja Naime Krasniqi -Jashanica deklaroi se nga zyra e kryeprokurorit ishte njoftuar se prokurori Rafet Halimi, është në procedurë të riemërtimit të mandatit të tij dhe sot nuk mund ta përfaqësoj këtë lëndë.

Ajo gjithashtu tha se Prokuroria nuk kishte caktuar prokuror zëvendësues që të përfaqësojë këtë lëndë në vend të prokurorit Halimi.

Ndërsa të pranishëm në këtë gjykim ishin dëshmitarët e propozuar nga ana e mbrojtjes, Mirsada Hasani, Fetije Hyseni, Sejrane Hasanaj, si dhe mbrojtësi i të akuzuarës avokati Asdren Hoxha.

Mirëpo në mungesë të prokurorit, është pamundësuar mbajtja e kësaj seance, ndërsa seanca e radhës është caktuar me 31 maj.

Sipas aktakuzës, Edita Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar  1,488.90 euro, të kësaj organizate.

Sipas Prokurorisë, nga shuma e përgjithshme, dyshohet se Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ-së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete.

Shtyhet seanca ndaj të akuzuares Edita Dula, prokuroria propozon të dëgjohet dëshmitarja

.