
Gjykata vendos edhe për një pjesë tjetër të të akuzuarve në rastin “Subvencionet 2”
Departamenti Special në Gjykatën e Prishtinës ka marrë vendim me të cilin iu ka shqiptuar dënim Hysni Morinës, Afrim Mehmetajt, Gëzim Morinës dhe Donard Dragës në lidhje me rastin e njohur si “Subvencionet 2”.
Këta të fundit akuzohen për dhënie ryshfeti, vepër për të cilën e kishin pranuar fajësinë. Kurse për mashtrim me subvencione nuk kishin pranuar fajësinë sepse sipas tyre cilësimi i paragrafit nga prokuroria nuk duhej të ishte ai që është bërë.
E pas kësaj Prokurori i Prokurorisë Speciale, Rafet Halimi, kishte dorëzuar një parashtresë me të cilin kishte precizuar paragrafin e nenit për mashtrim me subvencione nga paragrafi 3, në paragrafin 1 të kësaj vepre dhe precizizmin e dëmit për të akuzuarit Donard Draga, Gëzim Morina, dhe Afrim Mehmetaj.
Në seancën e sotme katër personat e lartcekur pranuan fajësinë, ndërsa prezent nuk ishte i akuzuari Hazir Metaj dhe mbrojtësi i tij Zeqir Bujupi.
Gëzim Morinajt, Afrim Mehmetajt, Donard Dragës dhe Hysni Morinajt gjykata iu shqiptoi dënim me burgim dhe dënim me gjobë.
Gëzim Morina u gjet fajtor për veprën penale dhënie ryshfeti duke iu shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve kurse për mashtrim me subvencione i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Si dhe i konfiskohet vlera e parave në shumë prej 8 mijë e 400 euro të përfituar nga kryerja e veprës penale.
Mehmetaj për dhënie ryshfeti u dënua me 1 mijë euro dënim me gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh (dënimi me burg mund t’i zëvendësohet në dënim me gjobë) dhe për mashtrim me subvencione i njëjti dënohet me gjobë në shumë prej 5 mijë euro. Si dënim plotësues Mehmetajt iu shqiptua kompensimi i dëmit Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 7 mijë euro.
Donard Draga për dhënie ryshfeti u dënua me 1 mijë euro dënim me gjobë dhe 6 muaj dënim me burgim (dënimi me burg mund të zëvendësohet me pëlqimin e të pandehurit në dënim me gjobë prej 4 mijë euro) dhe për mashtrim me subvencione dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.
Hysni Morina u dënua nga Gjykata e Prishtinës me 1 mijë euro dënim me gjobë dhe dënim me burgim prej 6 muaj për dhënie ryshfeti (dënim ky i cili mund të zëvendësohet me dënim me gjobë).
Hazir Metaj i cili ishte i përmendur në parashtresë të Prokurorisë, nuk u paraqit në këtë seancë, i njëjti do të gjykohet me pjesën tjetër të të akuzuarve.
Fillimisht për këtë rast kanë qenë të akuzuar gjithsej 15 persona, 6 prej të cilëve kishin pranuar fajësinë për veprat që ju ngarkoheshin.
Detaje nga Aktakuza voluminoze e Prokurorisë Speciale që akuzon 15 persona ne lidhje me këtë rast.