Gjykimi për vdekjen në vendin e punës | Foto: KALLXO.com

Ndërpritet Seanca për Vdekjen në Vendin e Punës

Tahir Rrecaj, avokati i Sabit Musliajt, të akuzuarit në lidhje me vdekjen e Fadil Arifit në vendin e punës, kërkoi që nëse prokuroria veprimet e të mbrojturit të tij i cilëson të kryera nga pakujdesia, Musliaj do ta pranojë fajësinë.

“Pasi që mbrojtja ka pranuar ekspertizën dhe pas konsultimeve me të mbrojturin tim, jemi të gatshëm që ta pranojmë fajësinë, sepse i mbrojturi im e pranon se veprimet i ka kryer nga pakujdesia, andaj e ftoj prokurorin që eventualisht ta bëjë ndryshimin e kualifikimit për veprën penale, në atë mënyre që i akuzuari ta ketë mundësinë e deklarimit lidhur me pranimin e fajësisë” , tha avokati Recaj.

Por prokurori i pranishëm në seancë Ardian Hajdaraj, tha se vetëm është duke e zëvendësuar prokurorin e kësaj çështjeje që ndodhet në pushim.

“Unë sot jam duke e zëvendësuar prokurorin e çështjes ngase ai ndodhet në pushim, andaj jam i papërgatitur për këtë lëndë dhe nuk kam mundësi ta ndryshoj akuzën. Këtu kam ardhë vetëm që të mos zhargitet ky proces gjyqësor. Është më mirë që ta presim prokurorin deri sa të kthehet nga pushimi”, tha prokurori Hajdaraj.

Avokati i palës së dëmtuar kundërshtoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit duke kërkuar që aktakuza të mbetet ashtu si është.

Sabit Musliaj akuzohet se duke mos instaluar pajisjet mbrojtëse për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe duke mos vepruar mbi masat për sigurinë e punës, i ka shkaktuar vdekjen punëtorit Fadil Arifaj.

Sipas aktakuzës, Musliaj e kishte angazhuar Fadil Arifajn për montimin e reflektorëve në fushën e sportit “Besi”, duke hipur bashkë me të në një skele jostabile.

Arifaj kur kishte shkuar në skaje të skeles për ta lidhur përçuesin elektrik ka filluar të rrëshqasë dhe pastaj edhe Arifaj, po edhe Musliaj kanë rënë nga skelet.

Në aktakuzë thuhet se Arifaj bie me kokë në tokë dhe merr plagë të rënda nga të cilat më pas vdes, derisa tash i akuauri Musliaj bie në këmbë, duke e lënduar këmbën e djathtë.

KALLXO.com ka shkruar për vdekjet në punë në Kosovë, të cilat sivjet janë shtuar.

http://kallxo.com/kmdlnj-9-punetore-te-vdekur-ne-vendin-e-punes/

http://kallxo.com/5-persona-vdiqen-ne-vendin-e-punes-2016/