Ndalohet i dyshuari për sulm ndaj inspektorit të Gjilanit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka nxjerrë aktvendim mbi ndalim për 48 orë për të dyshuarin Nexhat Halimi, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se dyshohet që gjatë ditës së sotme, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Gjilan, i dyshuari e ka sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin Ahmet Daku, inspektor i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Tutje, Prokuroria ka sqaruar se i njëjti  pa paralajmërim ka hyrë në zyrën e viktimës dhe ka kërkuar arsyet për refuzimin të kërkesës për statusin e veteranit të UÇK-së.

“I dëmtuari i shpjegon se nuk është kompetent dhe në atë moment i dyshuari fillimisht e ofendon dhe kërcënon me fjalë, pastaj e godet me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat ka kërkuar ndihmë mjekësore”, njofton Prokuroria.

Prokuroria ka nxjerrë aktvendimin mbi fillimin e hetimit dhe ka ushtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente në Gjilan, pasi që duke pasur parasysh peshën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, masat e tjera do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

KALLXO.com ka raportuar sot për sulmin ndaj Ahmet Dakut.

https://kallxo.com/lutfi-haziri-ka-denuar-sulmin-fizik-ndaj-ahmet-dakut/

www.kallxo.com