Arbërie Nagavci - Foto: KALLXO.com

Nagavci: Shkarkimi i Bordit të Agjencisë së Akreditimit, Vendim Politik

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, fajësoi qeverinë e vendit për ushtrim të ndikimit politik në Agjencinë e Akreditimit.

Në debatin në kuvend, Nagavci tha se si pasojë e këtij ndikimi, cilësia në arsim “ka rënë dukshëm” në Kosovë.

“Nuk është e re as praktika e ndikimit politik në shkarkime dhe emërime kyçe qoftë në institucione apo borde. Nuk është e re edhe mungesa e plotë e llogaridhënies dhe marrjes së përgjegjësisë”, tha Nagavci gjatë debatit në Kuvend rreth përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga organizata ndërkombëtare e cilësisë, EQAR.

Sipas saj, vendimi i EQAR për ta përjashtuar AKA-n do të ketë pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës.

“Ky vendim vjen si rezultat i shkarkimit të bordit nga ministri i Arsimit”, tha Nagavci.

Ajo tha se përjashtimi i AKA-së do të sjellë komplikim në proces të aplikimit në universitetet ndërkombëtare.

“Shkarkimi i këshillit është bërë për arsye partiake dhe kjo është tashmë praktikë partiake”, shtoi Arbërie Nagavci.

Ajo kritikoi edhe ish kryesuesin e bordit të AKA, Blerim Rexha për të cilin tha se ka pasur ngjyrim politik, duke aluduar në të kaluarën e tij si anëtar i PDK-së.

“Përgjegjësia është kryesisht e institucioneve të vendit kryesisht të kryeministrit Haradinaj duke mos përjashtu edhe ministrin Shyqiri Bytyqi”, tha Nagavci.

Sipas saj, brenda 90 ditëve institucionet e Kosovës duhet të bëjnë ankesë në vendimin për përjashtim të AKA-së nga EQAR.