Lagështia në ndërtesën e komunës së Klinës. Foto: Kallxo.com

Myket ‘Shtëpia e Bardhë’ e Klinës

Myku nga lagështia pothuajse është i pranishëm në çdo cep të objektit të Komunës se Klinës. Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëmtimit të çatisë së objektit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme brenda ndërtesës së komunës.

Arkivi i kadastrës komunale dhe kati i sipërm i objektit të komunës janë prekur me së shumti nga lagështia.

Si pasojë e lagështisë janë dëmtuar shumë dokumente të arkivit kadastral, kurse në katin e sipërm të objektit, tavani dhe dyshemetë janë demoluar.

KALLXO.com ka filmuar nga afër dëmet e shkaktuar brenda objektit komunal të Klinës.

Drejtori i Administratës, Binak Sylaj, tha përmes telefonit për KALLXO.com se si pasojë dëmtimit të çatisë se objektit, lagështia ka depërtuar brenda tij duke shkaktuar dëme.

Ai tha se si pasojë e lagështisë dëme ka pasur në arkivin e kadastrës dhe katin e tretë të objektit.

Sylaj tha se menjëherë ka bërë kërkesë për ndërmarrjen e masave ndërsa objekti pritet të rinovohet pasi të përfundojë procedurat e prokurimit.

Kjo ndërtesë është përuruar në nëntor të vitit 2013.