Përurimi i urës | Foto: Facebook

Mustafa: Nuk u Vonova në Përurimin e Urës

Kryeministri Mustafa që dje në veri përuroi urën që lidh Leposaviqin me Zveçanin tha se u vonua më së shumti 15 minuta në këtë ceremoni.

Për hir të së vërtetës dua t’i sqaroj opinionit se ftesa për hapjen e urës nga KFOR-i ka qenë për orën 14:00. Unë kam arritur ndërmjet orës 14:10 ose 14:15 min. Të gjitha pretendimet se jam penguar dhe se kam arritur me një orë e gjysëm ose dy orë vonesë janë të pavërteta,” shkroi Mustafa në Facebook.

Ai në këtë postim përmendi edhe një shprehi të tij.

“Nuk e kam shprehi të vonohem. Nuk jam vonuar në orë me studentë, nuk vonohem në punë dhe nuk vonohem në mbledhje të Qeverisë,” u lavdërua Mustafa.

Ura që u përurua edhe nga Mustafa është një investim i KFOR-it që këtyre forcave u ka kushtuar 400 mijë euro, ndërsa shërben për lehtësim të jetës së qytetarëve.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq tha dje që Mustafa u kontrabandua nga KFOR-i nëpër rrugë malore dhe fshatra shqiptare për të arritur në ceremoninë e përurimit të urës, pasi u raportua se kryeministrit i ishte bllokuar rruga nga serbë lokalë.

Po dje Kryeministri Mustafa duke iu përgjigjur kësaj deklarate tha se ai ishte në këtë përurim dhe me rëndësi është “që të arrijmë aty ku synojmë.

“Nëse dikush ka tentuar ta pengojë këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur mjedis rruge, kurse unë si Kryeministër isha në kohën e duhur në inaugurimin e urës. Çdo rrugë në Kosovë është e jona. Me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë!” shkroi Mustafa mbrëmë po në Facebook.

Policia në raportin e saj të përditshëm konfirmoi bllokimin e rrugës në Rudar të Madh të Zveçanit si pakënaqësi për vizitën e djeshme të Mustafës në veri.

“Raportohet se rreth 200 qytetarë kanë bllokuar rrugën në dy drejtimet në shenjë pakënaqësie lidhur me ardhjen e Kryeministrit të Kosovës.  Rreth orës 14:55 protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe rruga është zhbllokuar. Nuk raportohet për ndonjë incident,” përshkruhet në raportin e policisë ngjarja e djeshme.