Mungon i Akuzuari për Keqpërdorim të Pensioneve

Për shkak se mungoi i pandehuri Xhemajl Berisha seanca e sotme gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për keqpërdorim të pensioneve nuk u mbajt dhe u shty për më 6 qershor.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi i Gjykatës Themelore në Gjilan në hapje të seancës njoftoi palët se avokati Ramadan Leka përmes një parashtrese ka kërkuar që ky shqyrtim gjyqësor të shtyhej pasi që klienti i tij Xhemajl Berisha ka për t’iu nënshtruar një kontrolli mjekësor.

Në gjykatore nuk ishin prezentë as avokatët Ramadan Leka dhe Granit Sylaj, që të dy të angazhuar në një shqyrtim tjetër gjyqësor.

Ndërsa, në seancë prezantonte vetëm i dëmtuari Refik Jakupi dhe i akuzuari Fadil Kastrati, kurse mungonin edhe dëshmitarët Ruzhdi Morina dhe Heset Krasniqi. Sipas të dëmtuarit, dëshmitari Heset Krasniqi tashmë ka vdekur.

Me propozim të prokurorit të shtetit, Arben Kadriu, trupi gjykues mori vendim që gjykimi të shtyhet në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës.

Sipas aktakuzës, Xhemajl Berisha dhe Fadil Kastrati, në cilësinë e personave zyrtarë, të cilët kanë qenë përgjegjës për përpilimin e listave të përfitueseve të para-pensionimit të punëtorëve të kompleksit “Trepça”, ndërmarrjes “JoMetal” dhe XIQ “Karaqeva” në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim kanë futur vetën në listë në kundërshtim me udhëzimin administrativ.

Në këtë mënyrë, Xhemajl Berisha ka përfituar 700 euro, ndërsa Fadil Kastrati ka dëmtuar buxhetin duke përfituar 1,900 euro. Ndërsa, Heset Krasniqin e kanë futur në listën e para-pensionimit, duke i mundësuar përfitim prej 3,200 euro edhe pse i njëjti ishte duke punuar.

Berisha dhe Kastrati akuzohen se të dëmtuarin Refik Jakupin nuk e kanë futur në listë edhe pse i njëjti i ka përmbushur kushtet, duke e dëmtuar atë në shumën prej 3,670 euro.