Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Mungesa e transparencës: BIRN nuk lejohet ta monitorojë procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Policisë

Pavarësisht që BIRN ka bërë disa kërkesa që ta monitorojë procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kjo nuk është lejuar as nga Ministria e Punëve të Brendshme e as nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar, ngase këto dy institucione e kanë deleguar përgjegjësinë te njëra – tjetra. Rrjedhimisht ky proces po zhvillohet i mbyllur dhe pa monitorimin e BIRN.

Të dyja palët kanë bartur përgjegjësinë te njëra tjetra, por asnjëra nuk e ka marrë përgjegjësinë për të vendosur mbi kërkesën e BIRN për monitorimin e këtij procesi.

“BIRN në Bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë planifikon realizimin e projektit për monitorimin e proceseve rekrutuese për pozitat e larta. Me anë të kësaj kërkese, BIRN kërkon nga paneli rekrutues, t’i mundësohet monitorimi i drejtpërdrejtë dhe qasja në dokumentacionet gjatë procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, ishte kërkesa e dërguar nga BIRN.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Fitim Sadiku, i cili është sekretar i përgjithshëm i MPJ-së, ka thënë për BIRN-it se nuk është ai që vendos nëse duhet të japë leje për monitorim dhe se kërkesa duhet të dërgohet në MPB.

“Sa i përket kërkesës suaj për monitorimin e proceseve rekrutuese për pozita te nivelit te lartë drejtues në Policinë e Kosovës, ju rekomandoj që kërkesën në fjalë ta parashtroni tek Ministria e Punëve të Brendshme, unë nuk jam ai i cili vendos se kujt t’i mundësohet monitorimi e kujt jo”, është përgjigjur Sadiku.

Sipas udhëzimeve të tij, BIRN kishte dërguar të njëjtën kërkesë tek ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe këshilltari i tij, Adrianit Ibrahimi.

Ky i fundit i ka thënë organizatës se kjo është në diskrecion të Kryesuesit të Komisionit, Fitim Sadiku, ngase ai është personi përgjegjës që vendos për këtë kërkesë.

Përsëri, BIRN ka kontaktuar sekretarin Sadiku, por ky i fundit ka insistuar se kjo është përgjegjësi e MBP-së dhe se ata duhet ta japin dritën e gjelbër për monitorim, në mënyrë që kërkesa e BIRN të aprovohet nga ai.

Rrjedhimisht, procesi i intervistimit për Drejtorin e Përgjithshëm të PK-së i cili ka nisur të martën dhe do të vazhdojë deri të shtunën, është duke u bërë i mbyllur ngase monitorimi nuk është lejuar.

Ditë më parë, Ambasada e Britanisë së Madhe në bashkëpunim me BIRN Kosova kanë lansuar projektin e ri që do të mbështesë shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës.

Ky projekt synon të promovojë mbikëqyrjen e organizatave lokale të shoqërisë civile dhe do të përqendrohet në proceset e rekrutimit nëpër institucionet publike, duke përfshirë gjyqësorin, trajtimin e kontratave të prokurimeve publike, pajtueshmërinë e inspektorëve tatimorë me standardet profesionale dhe legjislacionin e konfliktit të interesit dhe pajtueshmërinë e institucioneve me rekomandimet e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm.

Ky proces është duke u zhvilluar me praninë e partnerit implementues, Ambasadës Britanike, të cilët do të japin rekomandimin e tyre në fund.

https://kallxo.com/ambasada-britanike-nise-bashkepunimin-per-monitorimin-e-pozitave-te-larta-drejtuese-me-birn-dhe-kdi/