A ka zvarritje të procesit të emërimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës?

Për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, për rastin ku dyshohet se u dhunua një 11-vjeçare në Prishtinë, Samedin Mehmeti, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kishte ofruar dorëheqje nga pozita që mbante.

Vendimi i tij për dorëheqje erdhi plot tre muaj më parë, më 30 gusht 2022, duke e lënë kështu Policinë me ushtrues detyre të drejtorit, pozitë që iu dha ish -zëvendësdrejtorit, Fehmi Hoti.

Përgjegjësia për procesin e emërimit të një drejtori të ri bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, ndërsa paraqitjet publike të ministrit ku ai foli për këtë çështje deri më tani janë të pakta.

Sveçla, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të  17 nëntorit të këtij viti ishte pyetur se kur do të emërohet drejtuesi i ri për të udhëhequr institucionin e sigurisë. Ministri kishte thënë se faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur dhe tani janë në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat e tjera.

“Unë tashmë besoj që e dini që faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur, tani jemi në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat e tjera të procesit. Sapo të themelohet komisioni do të vazhdojnë me procedura tjera deri në finalizim”- ishte shprehur Sveçla.

KALLXO.com është interesuar të dijë më shumë lidhur me këtë proces të krijimit të komisionit dhe po ashtu për gjithë situatën në tërësi, duke dërguar pyetje në adresën zyrtare të Ministrisë, mirëpo tash e tetë ditë ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Si e komentojnë njohësit e çështjes këtë proces?

Procesi i emërimit të një drejtori të ri që do të udhëhiqte institucionin e sigurisë po shihet si zvarritje nga vetë ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Qalaj, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se për të është e pakuptueshme pse kjo çështje po shtyhet deri në ‘pafundësi’.

“Çështja e zvarritjes së emërimit të drejtorit të policisë mendoj që ka humbur kuptim për shkak se nuk ka ndonjë arsye së paku sa unë e kuptoj këtë çështje që të shtyhet në pafundësi” – shprehet Qalaj në një përgjigje për KALLXO.com.

Ai cilëson se situata në të cilën gjendet siguria e Kosovës, duke përmendur këtu bojkotin e zyrtarëve policorë në komunat veriore të vendit, e bën edhe më të pakuptimtë gjithë procesin.

“Është e pakuptimtë, sidomos në këto situata të sigurisë që jemi sot edhe pse Policia e Kosovës e ka u.d. drejtorin dhe është duke funksionuar, mirëpo është e rrugës sidomos në sfidat që i kemi ne sot me bojkotin, dorëheqjen e policëve të komunave në veri besoj që është dashur gjithsesi ta kenë drejtorin” – thotë Qalaj, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit për Çështja të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Se cila është arsyeja për ‘zvarritjen” e këtij procesi Qalaj thotë se nuk e di, ndonëse i shpreh disa mendime se pse është duke ndodhur diçka e tillë.

“Nuk e di arsyen pse është zvarritur, ndoshta kandidatët nuk i pëlqejnë ministrit apo Qeverisë, apo ndoshta është ndonjë tendencë që të anulohet i gjithë ky proces, nuk e di ndoshta po paragjykoj” – shprehet deputeti, duke thënë se e sheh shqetësuese këtë situatë.

Ai tregon se në bazë të informatave që ai ka pranuar janë pesë kandidatë që kanë aplikuar në këtë konkurs dhe se të gjithë kandidatët i kanë plotësuar kushtet.

Mirëpo, ai thotë se nuk ka ndonjë hap që do të fillonte intervistimin e kandidatëve që kanë aplikuar, që pastaj të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit.

Kush aplikoi për drejtor të Policisë?

Shtatë ditë pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit, MPB kishte hapur konkursin për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Ky konkurs do të mbetej i hapur për 15 ditë që nga data e publikimit në gazetat ditore e në faqe zyrtare të MPB-së.

Konkursi, ashtu siç edhe parashihet me ligj, u planifikua të mbyllej më 21 shtator 2022.

Këto 15 ditë u shfrytëzuan nga pesë persona (MPB nuk ka kthyer përgjigje nëse ka edhe të tjerë që kanë aplikuar për këtë pozitë), të cilët aplikuan për të marrë postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë.

Pozitës së drejtorit ia mësynë pesë pretendentë: Bahri Shala, Fatos Haziri, Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Sllogjana Stojakoviq.

Se a ka aplikues të tjerë dhe a kaluan fazën e parë të procesit pesë pretendentët e lartcekur ende nuk dihet, kjo pasi MPB ende nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka siguruar përvojën e punës së këtyre pesë kandidatëve, që janë duke garuar për pozitën kryesore të Policisë së Kosovës.

Përvojën 20-vjeçare të pesë kandidatëve për drejtor të Policisë mund ta gjeni KËTU.