Përvoja 20 vjeçare e punës së pesë kandidatëve që ia mësynë pozitës së Drejtorit të Policisë

Pesë kandidatë kanë aplikuar për të marrë pozitën e të parit të Policisë së Kosovës, pozitë kjo e cila që nga viti 2018 ka ndërruar dy drejtorë, pra asnjëri nuk ka kryer mandatin e plotë prej 5 vitesh sa është e përcaktuar.

Kjo pasi që në fund të muajit gusht, ish-drejtori Samedin Mehmeti dha dorëheqje morale pas skandalit me rastin e 11 vjeçares e cila dyshohet se është dhunuar disa herë nga persona të ndryshëm, të cilët më pas ishin arrestuar në dy raste të ndara.

Mehmeti qëndroi në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës nga janari i vitit të kaluar deri më 30 gusht të këtij viti.

Aktualisht Policia e Kosovës po funksionon me ushtrues detyre të drejtorit, pozitë kjo që mban ish- Drejtori Rajonal i Prishtinës dhe ish zëvendësdrejtori i policisë, Fehmi Hoti.

Para Mehmetit, drejtor i policisë ishte Rashit Qalaj. Ky i fundit u emërua drejtor në vitin 2018 pasi që drejtori paraprak Shpend Maxhuni ishte pozicionuar si drejtues i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.

Për nga renditja alfabetike, pesë pretendentët për të drejtuar institucionin e sigurisë janë Bahri Shala, Fatos Haziri, Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Sllogjana Stojakoviq.

KALLXO.com ka siguruar përvojën e punës së pesë kandidatëve që ia mësynë pozitës kryesore të Policisë së Kosovës.

Bahri Shala ka nisur rrugëtimin në Policinë e Kosovës në vitin 2002 ku kreu kursin bazik të policisë fillimisht për të marrë pjesë më tutje në kurse e trajnime të tjera kryesisht në hetimin e drogave, krimit të organizuar, krimeve financiare.

Para kursit bazik, Shala kishte punuar si mësimdhënës i lëndës së edukatës fizike gjatë viteve 2000-2002. Në vitet 2002-2003 ai kishte kaluar si polic patrullues në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë.

Në vitet 2003-2004 u pozicionua si hetues në njësinë e hetimeve në stacionin “Jugu”.

Në vitin 2005 u avancua sërish në gradën toger ndërsa u u emërua edhe mbikëqyrës i ndërrimit në stacionin policor në Shtime dhe në qendër në Prishtinë.

Një vit më vonë pra në vitin 2006, Shala përsëri pati avancim, ai u gradua si kapiten ndërsa brenda një viti u zgjodh edhe shef i njësisë së hetimeve në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.

Në vitet 2006-2007 Shala ishte edhe Shef i qendrës së komunikimit në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Nga viti 2007 deri në vitin 2009, Shala u pozicionua si Shef i sektorit qendror për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Më pas u emërua si zëvendës drejtor i Drejtorisë kundër krimit të organizuar.

Që nga viti 2010 deri vitin e kaluar pra plotë 11 vite, Bahri Shala ishte emëruar si Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik.

Këtë pozitë e ndërroi vitin e kaluar kur u emërua si drejtor i drejtorisë së teknikes kriminalistike.

Ndryshimet e pozitave të larta të drejtorëve brenda drejtorive në Policinë e Kosovës kishin prekur edhe Shalën i cili pozitën e lartpërmendur e mban edhe sot.

Pra, avancimet dhe gradimet e Shalës ishin të shpeshta. Ai nga zyrtari policor pas dy viteve kaloi në gradën rreshter, në vitin 2005 toger, një vit më vonë u gradua si kapiten, ndërsa shtatë vite më vonë ose më konkretisht në vitin 2013 u gradua si major ndërsa në vitin 2018 u gradua si nënkolonel.

Fatos Haziri është i dyti kandidat për nga renditja alfabetike. Haziri ka plotë 22 vjet në Policinë e Kosovë. Pra ai nisi rrugëtimin për t`u bërë pjesë e policisë në shkurt të vitit 2000. Tutje ai u pozicionua në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë ndërsa një vit më vonë punoi në administratë dhe personel në PK.

Në vitin 2002 ai punoi në zyrën për zhvillim profesional të Shërbimit Policor në atë kohë. Ai në po të njëjtin vit u pozicionua në njësinë për arrestime dhe përkrahje gjyqësore në regjionin e Prishtinës. Në vitin 2003 ai u gradua si rreshter dhe punoi për një vit në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Në vitin 2004, Haziri punoi në zyrën për planifikim të operativës, komandën kryesore të policisë në Prishtinë ndërsa po atë vit u gradua në gradën e togerit.

Menjëherë pas gradimit ai u vendos në stacionin policor jugu në Prishtinë ndërsa në vitin 2005 ai sërish u gradua si kapiten dhe u zgjodh Shef i hetimeve regjionale të Gjilanit.

Haziri brenda një viti është graduar tri herë, nga togeri ai u gradua në kapiten e më pas në major. Kjo periudhë ka qenë mes viteve qershor 2004- maj 2005.

Një muaj pas gradimit më saktësisht në qershor të vitit 2005, i njëjti ishte zgjedhur si Drejtor i parimeve, planifikimeve dhe shërbimeve ligjore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Avancimi i Hazirit nuk ndaloi pasi i njëjti në vitin 2006 ishte graduar si nënkolonel.

Ai pas gradës ishte emëruar edhe Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar.

Në vitin 2009 është emëruar si zëvendësdrejtor i drejtorisë rajonale të policisë në Prishtinë.

Gjatë periudhës shkurt 2011- shtator 2011 Haziri u emërua si drejtor për planifikim strategjik, politika dhe çështje ligjore.

Në vitin 2013 ai u zgjodh si shef i sektorit për integrime evropiane në drejtorinë për planifikim strategjik dhe çështje ligjore pozitë këtë që e mbajti për 9 vite.

Nga korriku i këtij viti kaloi si Drejtor i Drejtorisë për Mbështetje, Trajnime të Specializuara dhe të Avancuara në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Gazmend Hoxha është kandidati tjetër për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë.

Edhe Hoxha karrierën e tij në polici e nisi në vitin 2000. Dy vite më par ai u gradua si rreshter ndërsa u caktua si mbikëqyrës i ndërrimit në stacionin “Jugu” në Prishtinë.

Në vitin 2003 ai u caktua si Mbikëqyrës i Njësisë Mbështetëse Operative në të njëjtin stacion ndërsa në vitin 2004 ai u gradua si toger.

Një vit më vonë ai u gradua sërish në gradën kapiten ndërsa u caktua komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.

Përgjatë viteve 2006-2008 ai u gradua në major dhe u emërua Zëvendës drejtor Rajonal për Hetime në Policinë në Gjilan.

Në vitin 2009 atij iu ndryshuan dy herë pozitat, fillimisht ishte Drejtor i Njësive Speciale e më pas u emërua si Drejtor Rajonal i Policisë në Ferizaj. Përgjatë viteve 2010-2011 ai drejtoi Departamentin Kundër Krimit të Organizuar.

Në vitin 2011 u emërua ndihmës drejtor i përgjithshëm i policisë për hetime.

Në vitin 2012 u gradua në gradën nënkolonel dhe u emërua Drejtor në Ferizaj për shtatë vjet.

Në vitin 2019 ai u gradua si kolonel dhe u emërua Drejtor i Divizionit për Siguri Publike, pozitë këtë që e ndryshoi një vit më vonë kur u zgjodh Drejtor i Departamentit për Operacione, pozitë këtë që mban aktualisht.

Granit Fetahu në vitin 2000 fillimisht ishte angazhuar si përkthyes për Policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në vitin 2002 ai kreu akademinë e policisë dhe u caktua të punoj në stacionin policor në Prishtinë.

Në dhjetor të vitit 2002 ai u transferua në zyrën e Drejtorit të Policisë ndërsa një vit më vonë ai u transferua në stacion policor në Gjilan. Në të njëjtin vit ai sërish pati transfer këtë radhë në Operativën Regjionale në Prishtinë.

Në vitin 2004 ai u transferua dhe u caktua shef i operacioneve speciale.

Këtë pozitë mbajti deri në vitin 2008 kur edhe u caktua si Drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim.

Tutje i njëjti në vitin 2010 ishte caktuar si zyrtar për zyrën ekzekutive të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për operativë.

Në maj të vitit 2011 ishte caktuar Mbikëqyrës i zyrës për bashkëpunim me institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Në gusht të vitit 2012 ai u caktua ushtrues detyre i drejtorit për Migrim dhe të Huaj. Në maj të vitit 2013 u caktua shef i stafit të drejtorit të përgjithshëm të policisë deri më 2015.

Në këtë vit ai u caktua si Drejtor i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse pozitë këtë që e mbajtur deri në qershor të vitit 2019, kur edhe u emërua Drejtor i Drejtorisë për Sigurim të Objekteve dhe Personaliteteve, pozitë që e mban aktualisht.

Sllogjana Stojanoviq është kandidatja e vetme grua e cila ka aplikuar në konkursin e fundit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Stojanoviq ka përfunduar akademinë policore në vitin 2000. Në vitin 2001 e njëjta ka punuar në Vushtrri. Deri në vitin 2009 e njëjta ka punuar në Qendrën për Siguri Publike në Vushtrri.

Ajo është graduar si major në vitin 2006. Nga 23 korriku i vitit 2009 ajo ka marrë pozitën e zëvendësdrejtorit rajonal për administratë në Mitrovicë.

Në vitin 2012 ajo është transferuar si përgjegjëse e departamentit rajonal të burimeve. Stojanoviq në vitin 2019 është garduar si nënkolonele dhe udhëheqës sektorin e burimeve në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës.

Këto të dhëna nga përvoja profesionale e kandidatëve për Drejtor të Policisë së Kosovës, KALLXO.com i ka marrë përmes kërkesës për qasje në Ministrinë e Punëve të Brendshme.