Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Gjysmë viti pa drejtor të Policisë, ekspertët thonë që më herët nuk ka pasur vonesa të tilla

Në fund të shkurtit janë bërë gjashtë muaj, pra gjysmë viti, prej kur institucioni i sigurisë në vend, Policia e Kosovës nuk ka ‘zot shtëpie’.

Ky institucion që nga 30 gushti i 2022-ës po udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, i cili deri në ditën e dorëheqjes së ish-drejtorit Samedin Mehmeti mbante pozitën e zëvendësdrejtorit.

Ndërsa, dorëheqja e Mehmetit kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, për rastin ku dyshohet se ishte dhunuar një 11-vjeçare në Prishtinë.

Një javë pas dorëheqjes së këtij të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme kishte hapur konkursin për emërimin e drejtorit të ri, e që ky konkurs do të mbetej i hapur për 15 ditë që nga data e publikimit në gazetat ditore e në faqe zyrtare të MPB-së.

Konkursi, ashtu siç edhe parashihet me ligj, u planifikua të mbyllej më 21 shtator 2022, por që atëherë e deri më sot Policia e vendit vazhdon të udhëhiqet nga një ushtrues detyre.

Njohësit e çështjes kanë komentuar për KALLXO.com konkursin për emërim të drejtorit, e të njëjtët kanë thënë se deri më tani nuk e mbajnë mend nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë vonesë të tillë.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj në një prononcim ka thënë se është hera e parë që procesi i përzgjedhjes së drejtorit të Policisë së Kosovës zgjatë kaq shumë.

“Në të kaluarën janë respektuar afatet kohore dhe pas intervistimit që është një proces normal për përzgjedhje të drejtorit, menjëherë, maksimumi pas një jave është emëruar drejtori i ri, ndërsa këtë herë po bëhen diku 7 muaj gjë që nuk ka qenë në të kaluarën” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Me këtë mendim është pajtuar edhe eksperti i sigurisë Bedri Elezi, i cili ka thënë se nuk i kujtohet që të ketë ndodhur ndonjëherë një vonesë e tillë.

“Mua nuk më kujtohet që ka pasur ndonjëherë në Kosovë ndonjë vonesë kaq të madhe të përzgjedhjes së drejtorit, por siç duket kjo është bërë me motive dhe arsye politike pasi nuk ka pasur vullnet që të përzgjidhen persona në baza profesional” – është shprehur ai.

Kur pritet të emërohet udhëheqësi i ri i Policisë?

Për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të organizatës qeveritare të sigurisë në vend, pra i Policisë së Kosovës sipas ish-drejtorit të Qalaj pritet që të diskutohet këtë të mërkurë.

Qalaj, që tash është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se në mbledhjen e radhës të Qeverisë, që sipas tij do të mbahet më 8 mars, një pikë e rendit të ditës ka të bëj edhe me emërimin e drejtorit të Policisë.

“Procesi i intervistimit është kryer bukur moti, i ka diku 3 apo katër javë, ndërsa me informata që i kam, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, më datën 8 mars është pikë e rendit të ditës, e cila ka të bëj me emërimin e drejtorit të Policisë” –  ka thënë Qalaj.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka provuar që të marr përgjigje nga dy zëdhënësit e qeverisë së vendit, Përparim Kryeziu dhe Rozafa Kelmendi, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.

Po ashtu, lidhur me emërimin në fjalë sot është kontaktuat edhe Policia e Kosovës, e cila është pyetur se në cilën fazë është procesi për konkursin për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni, por edhe nga ana e saj deri më tani nuk është marr përgjigje.

Madje, Policia është pyetur edhe se kur përafërsisht pritet që të bëhet përzgjedhja e udhëheqësit të ri, por prapë pa përgjigje.

Në anën tjetër, nga KALLXO.com është raportuar vazhdimisht lidhur me konkursin në fjalë, ku nga informata e siguruara është thënë se pozitës së drejtorit ia mësynë pesë pretendentë: Bahri Shala, Fatos Haziri, Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Sllogjana Stojakoviq.

A e dëmtoi Policinë vonimi i emërimit të drejtorit?

Njohësit e çështjes thonë se vonimi për emërimin e drejtorit të Policisë e ka dëmtuar këtë institucion të sigurisë.

Deputeti i PDK-së, Qalaj, i cili është edhe anëtarë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tregon se kjo vonesë nuk është e mirë për Policinë e Kosovës.

“Vonimi ka dëmtuar institucionin e Policisë së Kosovës edhe pse Policia në bazë të ligjit, çdo herë kur drejtori jep dorëheqje ose shkarkohet ose e kryen mandatin e tij automatikisht në bazë të ligjit zëvendësdrejtori bëhet ushtrues detyre i drejtorit” – shprehet ai.

Në anën tjetër, edhe Elezi thotë se vonimi i emërimit të drejtorit tregon mungesë serioziteti.

“Vetë mospasja e një shefi apo udhëheqësi të Policisë së Kosovës tregon mungesë serioziteti, jo pse ushtruesi i detyrës së drejtorit nuk ka qenë person i cili i ka kryer detyrat e veta, por vet fakti që ka qenë UD drejtor mund të themi që ka pasur një efikasitet të ulët të policisë” – shprehet ai.

Elezi thotë se është befasues fakti që tash e një kohë të gjatë Policia nuk e ka drejtorin e saj të përgjithshëm.

Në anën tjetër, me Ligjin e ri të pagave për sektorin publik, cilido nga kandidatët që do e marr pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të ketë pagën mujore prej 1 mijë e 522 euro.