Mungesa e 5 të akuzuarve shtyn gjykimin për sulm ndaj personave zyrtarë

Mungesa e të akuzuarve ka qenë arsyeja e shtyerjes së gjykimit nga gjyqtari Mentor Bajraktari, për veprën penale të sulmit ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.

Burim Hasanaj, Shkëlzen Hasanaj, Bujar Dema, Labinot Kurhasku dhe Shkëlqim Kurhasku, po akuzohen se në gusht të vitit 2013, janë fjalosur me katër zyrtarë policorë.

Zyrtarët policorë në këtë rast janë Shaban Limanaj, Naim Rrustaj, Dash Goci dhe Gani Rexhaj, të cilët kishin marrë lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme.

Në gjykimin e sotëm ishte prezent përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Bajram Kryeziu, mirëpo për të dëmtuarit- katër zyrtarët policorë, gjykata nuk kishte prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa prezent ishin vetëm dy mbrojtës të të akuzuarve, avokatët Besnik Haxhijanuzi dhe Genc Juniku.

Sipas aktakuzës, zyrtarët policorë për shkak të nisjes së vrullshme të automjetit kanë ndalur të akuzuarit Burim Hasanaj dhe Bujar Dema, me qëllim që t`i denoncojnë për kundërvajtjen e kryer.

Aktakuza thotë se në atë moment me një automjet tjetër kanë ardhur edhe të akuzuarit tjerë Shkëlqim Kurhasku, Shkëlzen Hasanaj dhe Labinot Kurhasku dhe të njëjtit kishin filluar t`i kundërshtonin zyrtarët policorë për shkak të gjobitjes.

Të akuzuarit kishin filluar t`i ofendojnë zyrtarët policorë dhe pas një fjalosjeje mes tyre, i akuzuari Labinot Kurhasku e kishte sulmuar me grushte dhe shqelma policin Shaban Limanaj, duke ia thyer shputën e djathtë, thuhet në aktakuzë.

Pastaj i akuzuari Labinot bashkë me të akuzuarit tjerë Burim Hasanaj, Shkëlqen Hasanaj, Bujar Dema dhe Shkëlqim Kurhasku, pas kacafytjes i sulmojnë me grushte dhe shqelma zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare, duke i’u shkaktuar lëndime të lehta trupore, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.