Foto: KALLXO.com

Gjykimi i zyrtarëve policorë të Gjakovës, i dëmtuari: Secili që ka hyrë në dhomën e qendrës së ndalimit më ka goditur

Kristë Gjokaj, ish-komandant i stacionit të Policisë në Gjakovë, dhe zyrtarët policorë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit për t`u përballur me aktakuzën, e cila i ngarkon për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këto vepra sipas Prokurorisë përfshijnë rrahje me grushte të një personi të arrestuar që ishte i prangosur brenda stacionit të Policisë në Gjakovë.

Në seancën e sotme u shikuan disa nga video-incizimet e nxjerra nga stacioni policor në Gjakovë, në të cilat shihet i dëmtuari Muhamer Raifi i lënduar dhe i mavijosur mbi pjesën e syrit të majtë.

Pastaj, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues se kush e ka goditur, i dëmtuari tha se secili që ka hyrë në dhomë e ka goditur.

Në vazhdim të seancës, duke dhënë mbrojtjen e tij, i akuzuari Kristë Gjokaj tha se nuk e pranon fajësinë lidhur me aktakuzën e Prokurorisë.

“Natën kritike kur ka ndodhur ngjarja më ka thirrur rreshteri policor Esat Deva dhe më ka thënë se jemi në shkëmbim zjarri me disa hajna me maska. Pasi kam shkuar në stacion policor kam parë se aty ka qenë një person i cili pasi e kam pyetur se kush je më ka thënë: “Nuk të njoh dhe nuk dua të bisedoj me ty””, tha i akuzuari Gjokaj.

Ai gjithashtu tha se nuk është e vërtetë që e ka goditur të dëmtuarin por vetëm iu ka drejtuar se kush është ai dhe se nuk e di se pse ai është rrëzuar në tokë. Gjatë karrierës time, tha i akuzuari, kam parë edhe raste tjera kur të dyshuarit rrëzohen para kamerave për t’u viktimizuar.

I akuzuari tjetër Bekim Preqi gjithashtu tha se nuk e pranon fajësinë duke shtuar se në kohën kur ka ndodhur rasti nuk ka qenë në punë por atë e ka njoftuar rreshteri Esat Deva, i cili i ka thënë se janë në ndjekje të një grupi prej 3 personave.

“Esat Deva më ka thënë se njëri nga policët është i lënduar dhe menjëherë unë jam nisur për stacion me veturën time. Pasi kam hyrë në stacion e kam parë Milot Ukën duke biseduar me një person i cili ka qenë i shtrirë në dyshemenë e stacionit policor. E them me përgjegjësi të plotë se kur kam hyrë në dhomën ku ka qëndruar i dyshuari vetëm kam komunikuar me të dhe nuk e kam goditur fare atë“, tha i akuzuari Preqi.

Në vazhdim e dha mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Gëzim Biblekaj, i cili gjithashtu tha se nuk e pranon fajësinë pasi nuk e ka kryer veprën penale me të cilen ngarkohet.

Ai tha se mbetet pranë deklaratave të dhëna në Prokurori dhe në Polici.

Gjithashtu i akuzuari Biblekaj tha se të akuzuarin vetëm e ka pyetur se me kënd ka qenë në vendin kur kanë shkëmbyer zjarr me Policinë dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me të.

I akuzuari i fundit i cili e dha mbrojtjen e tij në seancën e sotme ishte Agron Idrizi, i cili njëjtë sikurse të akuzuarit e tjerë nuk e pranoi fajësinë. Ai tha se natën kritike kur ka shkuar në stacion i dëmtuari ka filluar t’i ofendojë zyrtarët policorë dhe tha se fjalët e fundit që ia ka thënë ishin: “Mos i bart 100 kile i vetëm por ndaji ato!”, duke aluduar në atë se tregoji edhe 3 personat e tjerë që ishin bashkë me të. Asnjë kontakt tjetër tha se nuk e ka pasur me të dëmtuarin.

Në fund, i akuzuari Milot Ukaj tha se e pranon fajësinë lidhur me atë që Prokuroria e ngarkon. Por për shkak të aktit akuzues i cili të akuzuarin Milot Ukaj e akuzon se e ka kryer veprën në bashkëkryerje, trupi gjykues e refuzoi pranimin e tij.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 korrik.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë duke e rrëzuar të dëmtuarin në dysheme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit e tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policorë, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.

Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve, në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit tjerë duke e goditur me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit Muhamer Raifi, ku të njëjtit pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.