MSA Hyn në Fuqi më 1 Prill

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit do të fillojë të zbatohet nga 1 prilli i këtij viti.

Ramadan Ilazi,  Zëvendësministër i Integrimeve Evropiane ka konfirmuar këtë datë bashkë me dhënien e sigurisë se kjo nuk është gënjeshtër megjithëse koincidon me ditën e gënjeshtrave.

“MSA hyn në fuqi më 1 prill të këtij viti, kjo nuk është shaka por është e vërtetë. Periudha e zbatimit të saj do të jetë 10 vite ndërsa do të rishikohet pas 5 vitesh” konfirmoi Ilazi.

Ministria e Integrimeve Evropiane bëri sot prezantimin e përmbajtjes dhe domethënies së MSA-së ndërsa Ilazi konsideroi hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje si fillim i rrugëtimit zyrtar të Kosovës drejt integrimit në BE.

Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësues të komunave të Kosovës që sipas Ministrisë së Integrimeve Evropiane janë ndër akterët kryesorë prej të cilëve kërkohet bashkëpunim për zbatimin e MSA-së.

Yll Valla nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e vlerëson hyrjen në fuqi të MSA-së si një hap të rëndësishëm dhe ndihmë në menaxhimin e komunave nga MAPL.

“Është një hap i mirë që bashkërisht me komunat kemi bërë planet individuale të komunave nga obligimet e agjendës evropiane dhe në këtë drejtim kemi arritur që për secilën komunë në mënyrë specifike ti vendosim këto masa dhe veprime”, tha Valla.

Artan Çollaku, drejtor i procesit të Stabilizim Asociimit nga MIE, prezantoi qëllimet kryesore të MSA që sipas tij do të fillojnë të realizohen me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje.

“MSA ka tre qëllime kryesore, përmbushjen e kritereve politike për të krijuar shtetin e së drejtës, kryerja e reformave ekonomike për të mundësuar integrimin e tregut kosovar në BE dhe e fundit është marrja e standardeve të BE-së ën të gjitha fushat e qeverisjes dhe zbatimin e tyre”, tha Çollaku.

MSA-ja është marrëveshje ndërkombëtare e lidhur ndërmjet Kosovës dhe BE-së më 27 tetor të vitit 2015 në Strasburg dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Kosovës u bë më 2 nëntor të atij viti.

http://kallxo.com/jahjaga-evropa-e-amerika-te-gezuar-per-msa-ne/

http://kallxo.com/hahn-msa-nuk-i-zgjidh-problemet-e-brendshme-te-kosoves/