Gjykata në Pejë | Foto: KALLXO.com

Mjeshtrit do të Dëshmojnë në Kontestin për Shtëpinë

Ish-bashkëshortët Zyrafete e Hasan Huskaj erdhën nga Norvegjia për t’u përballur në Gjykatën Themelore në Pejë për shtëpinë në fshatin Lubeniq.

Zyrafete Huskaj pas ndarjes nga ish-buri i saj Hasani po e kërkon në gjykatë hisen në shtëpinë që thotë se u ndërtua me kontribut të përbashkët.

http://kallxo.com/ish-bashkeshortja-kerkon-hisen-e-saj/

Gjatë seancës munguan dy dëshmitarët e propozuar nga pala paditëse pasi nuk iu përgjigjën ftesës së gjykatës për të dëshmuar para trupit gjykues.

Faruk Binakaj, avokati i Zyrafete Huskajt, duke i konsideruar këta dëshmitarë si shumë të rëndësishëm për kontestin rreth shtëpisë, kërkoi nga gjykata që ta urdhërojë policinë për sjellje të tyre me dhunë.

Binakaj kërkoi edhe një ekspert të ndërtimtarisë për vlerësimin e shtëpisë, duke bërë me dije se shpenzimet për të do t’i heqë pala paditëse.

“Propozoj që kjo gjykatë të shkojë në vendshikim dhe me rastin e shkuarjes në vend të ngjarjes të caktohet sipas listës zyrtare një ekspert i ndërtimtarisë për të na dhënë sipërfaqen e hapësirës së shfrytëzuar së shtëpisë së ndërtuar dhe dy objekteve tjera përcjellëse,” tha Binakaj.

Agim Shala, avokati i Hasan Huskajt propozimin e kolegut të tij Binakaj për ekspert të ndërtimtarisë e cilësoi të parakohshëm.

Shala propozoi që në gjykim të dëshmojnë mjeshtrit që e ndërtuan shtëpinë kontestuese.

“Propozojmë që seancën e radhës të ftohen për të dëshmuar tre punëtorët që kanë bërë ndërtimin e shtëpisë lëndore,” tha avokati Shala.

Propozimet e të dy palëve për dëshmitarët u  aprovuan nga trupi gjykues, kurse për propozimin për ekspertin e ndërtimtarisë u la të vendoset në seancën e radhës.

Para kësaj seance kishte dëshmuar e bija e përbashkët e Zyrafetes dhe Hasanit, Alisa Huskaj e cila i kishte dalë në krah nënës së saj.

http://kallxo.com/vajza-del-krah-nenes-ne-gjyqin-per-pronen/

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 22 nëntor.

ALLXO.com ndoqi edhe raste tjera të kërkimit të së drejtës së pronës, të ngjashme me këtë të Zyrafete Huskajt.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

Berisha kishte paditur kunetërit e saj pasi ishte përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në vitin 1999, në të cilën masakër ajo humbi burrin dhe fëmijët, është duke e kërkuar në gjykatë shtëpinë ku jetoi para se t’i vriteshin më të dashurit.

KALLXO.com dhe “Drejtësia në Kosovë” kanë publikuar shkrime dhe publikime për përjashtimin nga trashëgimia të grave në Kosovë në emër të kanunit.

http://kallxo.com/interpretuesi-kanunit-shpjegon-te-drejten-e-grave-ne-trashegimi/