Ilustrim

Mitrovicasi ndërtoi murin në pronë të 'Ibër Lepenc'-it, përfundon në Gjykatë

Ndërmarrja Hidrocentrike “Ibër Lepenc” ka paditur Rexha Aliun nga Mitrovica.

Përmes padisë kjo ndërmarrje kërkon nga Gjykata Themelore e Mitrovicës që me anë të aktgjykimit ta obligoj Rexha Aliun nga fshati Lushtë i Mitrovicës, që t’ia lirojë pronën e uzurpuar.

Në padi thuhet se nga raporti i komisionit permanent të dhënë në janar 2015, nga NH Ibër Lepenc sh.a. ishte konstatuar  së fqinji tash i padituri Rexha Aliu kishte ndërtuar mbi pronën e ndërmarrjes Ibër Lepenc, thuhet në padi.

Ndërmarrja në janar 2015-ws me shkrim kishte kërkuar nga i padituri që ta liroj pronën, por kjo nuk ishte bërë.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës përfaqësuesja e palës paditëse Naxhije Sadiku, deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke precizuar se konform ekspertizës se gjeodezisë kërkon edhe shpenzimet e procedurës 100 euro dhe taksën për padi.

Kurse i padituri Rexha Aliu deklaroi se nuk e dinte  se ka ndërtuar në tokën e Ndërmarrjes Ibër Lepenc.

Ai theksoi se kishte kërkuar nga rojtari që t`i tregonte pikat se ku tw vendoste murin.

Gjatë seancës prezantoi edhe eksperti, gjeodeti Nuhi Mehmeti, i cili qëndroi pranë asaj se çfarë ishte konstatuar në ekspertizën e dhënë me shkrim.

Pas kësaj u dha fjala përfundimtare nga pala paditëse dhe i padituri.

Të dy mbeten pranë atyre se çfarë kishin cekur në seancë.

Gjyqtari Faton Ademi, njoftoi palët së shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje ka përfunduar, ndërsa palëve do t’iu dorëzohet vendimi brenda afatit ligjor.