Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nicos Kotzias - Foto: REL/Reuters

Ministri i jashtëm grek jep dorëheqje, shkak emri i Maqedonisë

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, gjatë ditës se sotme ka dhënë dorëheqje një ditë pas debatit tensionues mes tij dhe ministrit të Mbrotjtes, Panos Kammenos, për emrin e Maqedonisë.

Sipas gazetës greke Kathimerini, kryeministri grek Alexis Tsipiras e ka pranuar dorëheqjen e tij.

Në një deklaratë pasi Kotzias dha dorëheqjen, Tsipras njoftoi se do të marrë përsipër ministrinë për të siguruar përfundimin e marrëveshjes së emrit të Maqedonisë dhe Greqisë, por theksoi se Athina kurrë nuk do të pranojë ofertën e pranimit të fqinjit të saj në NATO me emrin e saj aktual.

Burime brenda qeverisë greke i thanë gazetës Kathimerini, se Kotzias ishte i pakënaqur për faktin se kryeministri Tsipras nuk e kishte mbështetur atë kundër sulmeve të Ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos,  mbi marrëveshjen për ’emrin’ me Maqedoninë gjatë një takimi të kabinetit një ditë më parë.

Kammenos kryeson partnerin e vogël të koalicionit qeverisës në qeverinë greke, por ndryshe nga Kotzias, i cili është një nga arkitektët kryesorë të marrëveshjes së emrit, ai është një kundërshtar i zellshëm për marrëveshjen.

Sipas gazetës Kathimerini, burimet pranë ministrit të jashtëm thanë se Kotzias ishte “thellësisht i ofenduar” nga akuzat e Kammenos, ndonëse nuk ishte e qartë se çfarë ishin ato.

Marrëveshja për emrin mes Greqisë dhe Maqesonisë arriti këtë verë, por u ndesh me kundërshtime të forta nga forcat e krahut të djathtë në këto dy shtete.

Marrëveshja ende duhet të zbatohet nga parlamenti maqedonas. Ajo do të hyjë në fuqi vetëm nëse vendi ndryshon kushtetutën e tij për të ndryshuar emrin e vet në Republikën e Maqedonisë Veriore, pas së cilës parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen.