Ministri i Drejtësisë: Shpenzimet e të ftuarve nga Gjykata Speciale hiqen vetëm nëse ka aktakuzë

Në një konferencë për media, ministri i Ministrisë së Drejtësisë Abelard Tahiri ka folur për pagesën e avokatëve të cilët do të mbrojnë të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Tahiri tha se secili person i cili është thirrur nga Gjykata Speciale ka të drejtë të marrë cilindo avokat, mirëpo shteti nuk i mbulon shpenzimet e tyre deri sa nuk janë të akuzuar.

Të dielë, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa (Remi) dhe ish-komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku, u nisën drejt Hagës për t’u intervistuar nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara.

Në lidhje me pagesën e avokatëve të tyre mbrojtës, Tahiri ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për asistencë financiare.

“Deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë nga personat të cilët mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale për asistencë financiare”, tha Tahiri.

Ndërsa, për tarifën më të lartë të cilën shteti do ta paguaj për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, Tahiri ka thënë se ajo nuk është caktuar ende.

“Tarifa nuk është caktuar ende , do të jetë një përcaktim se deri në çfarë shume do të mbulohen avokatët”, ka thënë Tahiri.