Ministri i Drejtësisë paralajmëron Ligj për Pronat Publike

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social ‘facebook’, ka paralajmëruar hartimin ne një ligjit të veçantë me të cilin do të menaxhohen pronat publike.

Ai ka shkruar se edhe pas dhjetë vitesh shtetësi, ende ka paqartësi se kush është administrues dhe kush menaxhon me pronën publike në Republikën e Kosovës.

“Kjo dilemë duhet të marrë fund dhe për këtë arsye jam duke përgatitur projektligjin për Pronën Publike, për të shuar këtë pasiguri juridike e cila pamundëson shfrytëzimin e këtyre pronave për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të shtetit tonë”, ka shkruar ministri Tahiri.

“Me këtë projektligj, shteti dhe komunat do të kenë procedura të qarta se si të regjistrojnë, të administrojnë dhe të disponojnë me pronën e tyre. Ky projektligj, do të rregullojë edhe çështjen e pronës së trashëguar nga ish-RSFJ si pasojë e suksedimit shtetëror, për të cilën duhen korrigjuar përfundimisht shënimet kadastrale”, ka shkruar tutje ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Ai ka shkruar se “Kjo nismë legjislative, jo vetëm se është një hap i rëndësishëm në implementimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, por mbi të gjitha është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e Republikës sonë”, përfundon deklarata e ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri.