Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në konferencën në Beograd - Foto: MAShT

Ministri i Arsimit i Kosovës Merr Pjesë në një Konferencë në Beograd

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga zyrtarë të MAShT, po merr pjesë në konferencën dyditore “Platforma e Ballkanit Perëndimor për Edukim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion”.

Në ditën e parë të konferencës, ministri Bytyqi dhe homologët e tij të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për zhvillim të politikave rajonale, prioritetet për bashkëpunim rajonal, ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe inovative, reformat në arsimin e lartë, ngritjen e kapaciteteve për hulumtim në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin që ka programi ERASMUS + në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa, në ditën e dytë do të diskutohet për mobilitetin inter dhe intra rajonal, njofton MAShT përmes një komunikate.

Ministri Bytyqi e ka vlerësuar pjesëmarrjen në konferencë si shumë të rëndësishme, fillimisht për integrimin ndërkulturor të vendeve brenda platformës, pastaj krijimin e mundësive të reja për studentët tanë për përfitimin e bursave me qëllim studimi jashtë vendit, rritjen e bashkëpunimit në mes të rinjve dhe hedhjen e një hapi përpara drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Në kuadër të konferencës festohet edhe 30 vjetori i themelimit të Programit ERASMUS +.

Në kuadër të kësaj komponente, komisioneri europian për edukim, kulturë, rini dhe sport, Tibor Navracsisc, përshëndeti anëtarësimin e Kosovës në programin ERASMUS + dhe bëri thirrje për vendet anëtare që të angazhohen për shfrytëzimin e fondeve të BE-së.