I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto: REL

Lajçak: Një diskutim i gjatë dhe i vështirë me Vuçiqin

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se dje ka pasur një diskutim të gjatë dhe të vështirë, por të drejtë, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Unë mbështetem në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe stabilitetin. Dhuna duhet shmangur. U pajtuam që të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të zbatohen” – thuhet në postimin e Lajçakut në Twitter.

 

Vizita e Lajçakut në Beograd ka ardhur një ditë pas Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Ned Price, thuhej se janë të zhgënjyer që Qeveria e Kosovë ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin” – thuhet në reagim.

Të zhgënjyer janë shprehur edhe Bashkimi Evropian. Sipas BE-së, Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE.

Sipas tyre, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.

Sot është paralajmëruar një takim mes Listës Serbe si dhe zyrtarëve serbë të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga institucionet.

Takimi u paralajmërua pas suspendimit nga detyra e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq. Suspendimi i tij u bë pas dyshimit se i njëjti refuzoi që ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e automjeteve me targa me akronime të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia.